AlbanianSport.com 12/09/2021 16:55
ASNN – E mund 3-1 në Stadiumin e Rrogozhinës, verilindorët e Longos bindin në nisje. Kështu, ka nisur me një humbje një tjetër rikthim në Kategorinë Superiore, pasi Kukësi e ka mundur 3-1 Egnatian të dielën, në ndeshjen e javës së parë, të luajtur në Rrogozhinë. Edhe Kukësi e tregoi qartë të dielën se vështirësitë e sezonit të shkuar janë tejkaluar dhe është gati të luftojë me të mëdhatë e tjerë për titullin.
Verilindorët mundën pa shumë vuajtje Egnatian në fushën e kësaj të fundit, me shifrat 3-1. Kukësi shënoi dy herë në pjesën e parë. Verilindorët shënuan fillimisht me afrimin e verës, Klejdi Daci në minutën e 26-të, teksa në të njëjtën pjesë loje, atë të parën, do të gjenin sërish rrjetën. Kukësiani i vetëm në skuadër, Ergys Peposhi tundi rrjetën në minutën e 41-të, pas një aksioni të gjatë dhe futbolli të pastër të skuadrës së trajnerit Longo.
Edhe në pjesën e dytë Kukësi e diktoi lojën dhe bëri futboll cilësor, duke pasur disa mundësi dhe goditur edhe shtyllën me Taipin. Por goli u shënua në anën tjetër, pikërisht në portën e verilindorëve. Në minutën e 87, Bruno Telushi ka arritur të shënojë një gol shumë të bukur nga jashtë zone, duke lënë deri në fund Kukësin nën tension. Sidoqoftë, në fund Kukësi shënoi edhe një gol në minutën e katërt shtesë me Mirko Milunoviçin.