AlbanianSport.com 12/09/2021 15:25
ASNN – Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, po kalon një formë fantastike në karrierë. Bajrami, i cili debutoi me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Hungarisë dhe luajti 45 minuta kundër San Marinos, është rikthyer të luajë me klubin e tij në Itali.
Mesfushori kuqezi që aktivizohet në radhët e Empolit ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë mbrëmjen e kaluar, në sfidën ndaj Venecias, duke qenë protagonist absolut me skuadrën e tij. Bajrami arriti të shënojë të vetmin gol për Empolin në minutën e 89-të, ku u tregua i saktë nga pika e 11-metërshit, duke shkurtuar shifrat në 1-2.
Për fat të keq, goli i mesfushorit të Shqipërisë nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e rezultatit të ndeshjes për Empolin, që u mund në shtëpi 1-2. Sipas disa prej faqeve të specializuar për statistikat, shqiptari u shpall lojtari më i mirë në radhët e Empolit, duke u vlerësuar me notën 7.4.