AlbanianSport.com 11/09/2021 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e femrave do të nisë që nga kjo e shtunë përgatitjet për fillimin e edicionit të ri të ndeshjeve eliminatore të vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”. Trajneri i ekipit kuqezi, Armir Grima ka bërë publike listën me emrat e futbollisteve të grumbulluara për dy ndeshjet e para që Shqipëria do të luajë ndaj Kosovës më 16 shtator 2021 në Stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa 5 ditë më vonë, do të zhvillojë një tjetër ndeshje, atë ndaj Belgjikës në fushë të huaj.
Grima ka ftuar 24 lojtare për këto dy ndeshje, me 16 prej vajzave që aktivizohen në kampionatin shqiptar, 3 në kampionatin e Kosovës dhe 5 në kampionatet e vendeve të Evropës dhe atë amerikan. Shorti i ka vënë vajzat kuqezi të topkëmbës në grupin F, së bashku me Poloninë, Norvegjinë, Belgjikën, Kosovën dhe Armeninë. Përfaqësuesja e femrave do të tentojë të marrë maksimumin nga këto dy ndeshje të shtatorit, teksa do të rikthehen të luajnë sërish në tetor 2021, fillimisht ndaj Armenisë më datë 21, dhe, më pas, do të udhëtojë për vizitën polake më datë 26.
Në nëntor, Shqipëria do të presë Norvegjinë në shtëpi, me ndeshjen që do të zhvillohet më datë 25 dhe më pas do të luajë ndaj Kosovës në fushën e kësaj të fundit, më 30 nëntor 2021. Kombëtarja rikthehet të luajë më 7 prill të vitit 2022, me ndeshjet ndaj Belgjikës në shtëpi dhe më 12 prill 2022 do të udhëtojë drejt Armenisë. Fushata e Eliminatore mbyllet në shtator të vitit të ardhshëm, ku më 1 shtator 2022, vajzat kuqezi do të luajnë ndaj Polonisë dhe më 6 shtator 2022 do të luajnë në fushë të huaj ndaj Norvegjisë.
Kombëtarja e femrave ka njohur rritje vitet e fundit, ku për herë të parë është ngjitur në vazon e 4-t, sipas renditjes më të fundit të UEFA-s, duke u ngjitur në vendin e 33-të dhe duke lënë pas shtete si Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi, Izraeli etj.
Lista e futbollisteve të grumbulluara është si vijon: