AlbanianSport.com 10/09/2021 21:10
ASNN – Valteri Botas dhe Ljuis Hemilton lënë prapa Verstapenin, gara sprint e së shtunës, në RTSH. Do të jenë dy makinat e “Mercedes”-it që do ta nisin në dy vendet e para garën e sprintit të shtunën pasdite, por nga vendi i parë do të niset Valteri Botas, ndërsa nga vendi i dytë, Ljuis Hemilton. Sikundër seanca kualifikuese e së premtes, edhe gara sprint e së shtunës dhe vetë gara e së dielës në Çmimin e Madh të Monzës në Formula 1, do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
Formula 1 ka zhvilluar të premten seancën e provave që ka përcaktuar radhën e nisjes së shtunën pasdite në garën 100 km të sprintit, nga e cila do të përcaktohet përfundimisht edhe radha e nisjes së Çmimit të Madh të Monzës. Kjo garë, që është e 14-ta e kalendarit të këtij sezoni të Botërorit të Formulës 1, do të jetë e dyta, pas Silverstounit, që nisjen e së dielës do ta përcaktojë nëpërmjet eksperimentit të garës së sprintit, që në fakt është një version i shkurtuar i vetë garës së madhe.
Dhe do të jenë dy makinat e “Mercedes”-it që do ta nisin në dy vendet e para garën e sprintit të shtunën pasdite, por nga vendi i parë do të niset Valteri Botas, ndërsa nga vendi i dytë shoku i tij i skuadrës, Ljuis Hemilton. Ndonëse ky i fundit ishte mjaft i shpejtë si në seancën e parë të provave të lira, ashtu edhe deri pak minuta para fundit të seancës kualifikuese të së premtes, ka qenë finlandezi që ka dhuruar një xhiro fluturuese në fund, duke regjistruar kohën 1 minutë, 19 sekonda e 555 të mijëtat.
Ai ishte vetëm 96 të mijëtat më i shpejtë se britaniku “kampion” në fuqi i Formulës 1. Ndërkohë, fituesi i garës së mëparshme, asaj të shtëpisë në Zandvo’ort të Holandës para një jave, Maks Verstapeni nuk mundi ta përmirësojë kohën e tij dhe u detyrua të kënaqej me vendin e 3-të, duke qenë 411 të mijëtat më i ngadaltë sesa Botas, ndërsa vendin e 4-t e mori Lando Noris.
Ndërkaq, 10-shen e të parëve do ta plotësojnë piloti tjetër i “MekLaren”-it, Daniel Riçiardo, i ndjekur nga Pjer Gasli i “Alfa Tauri”-t, dyshja e “Ferrari”-t, Sharl Lëklërk-Karlos Sainz dhe Serxhio Perez i “Red Bull”-it dhe Antonio Xhovinaci i “Alfa Romeo”-s. Sikundër seanca kualifikuese e së premtes, edhe gara sprint e së shtunës dhe vetë gara e së dielës, do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.