AlbanianSport.com 09/09/2021 18:40
ASNN – Trajneri i Teutës dhe kapiteni Kallaku flasin para përballjes së javës së parë në Elbasan. Kampionia në fuqi, Teuta, do ta nisë mbrojtjen e titullit të premten në mbrëmje, kur të përballet me Partizanin, në ndeshjen e parë të javës së parë të Kategorisë Superiore, që luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”. Si për trajnerin Edi Martini, ashtu edhe për kapitenin Sherif Kallaku, kjo përballje është e vështirë. Kreu shkodran i stolit durrsak “vajton” faktin që ndeshja nuk do të luhet në Durrës, por beson tek cilësitë e skuadrës.
Teuta e nis sezonin e ri të Kategorisë Superiore me përballjen me Partizanin, një sfidë që si për trajnerin Edi Martini, ashtu edhe për kapitenin Sherif Kallaku është e vështirë. ‘’Kur luan kundër Partizanit është e qartë që është një ndeshje e fortë, ku duhet të hysh për të fituar, – ka theksuar 46-vjeçari. – Normalisht dhe Partizani ka bërë lëvizje shumë, por dua të them që më shumë njihemi ne trajnerët me njëri-tjetrin sa me ekipin, kështu mendoj që do të jetë ndeshje e fortë’’. Përtej merkatos, trajneri Martini e cilëson grupin e plotë dhe të gatshëm.
“Po, mendoj se kemi prurje me shumë cilësi, – ka thënë ai. – E mira do ishte që të ishin afruar pak më shpejt, por gjithsesi, kemi lojtarë mjaft cilësorë, me mjaft përvojë dhe mendoj se mangësitë që kemi patur më përpara janë rikuperuar 100%. Unë mendoj se skuadra është gati, me përjashtim të dy apo 3 lojtarëve që kanë ardhur me vonesë, pjesa tjetër është në rregull. Sidoqoftë, këta lojtarë që kanë ardhur me vonesë, do të jenë pjesë e ekipit, do të ulen në stol, nëse do e kemi të nevojshme, atëherë do t’i aktivizojmë.”
Kreu shkodran i stolit durrsak “vajton” faktin që ndeshja nuk do të luhet në Durrës, por beson tek cilësitë e skuadrës. “Unë them që futbolli luhet për tifozët, – pohon trajneri i bregdetarëve. – Normalisht është bonus edhe kur ke tifozët e tu, por edhe kur vijnë tifozët kundërshtarë në stadium. Emocionet janë më të mëdha, presioni është më i madh, përgjegjësia është më e madhe. Kështu që është një problem faktikisht, sepse kur je këtu ke dhe tifozët që të përkrahin, aq sa vijnë në stadium, sepse dihet që nuk kemi një tifozëri shumë të madhe.”
“Por kemi dhe ata besnikët tanë që na vijnë edhe në Elbasan, – ka shtuar shkodrani. – Përtej kësaj që na kushtëzon pak, ajo që na gëzon është cilësia e fushës, është një armë plus për ne pasi dihet kualiteti i ekipit tonë.” Martini vlerëson edhe futjen në përdorim të Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), teksa pohon: ‘’Unë them që po, sepse vitin e kaluar kemi pasur ankesat tona te gjykimi, siç kanë pasur dhe të tjerët. Jemi penalizuar disa herë, mendoj se po të kishte qenë VAR-i nuk do të kishim rezultatet që kemi pasur që nga java e parë e deri në fund.”
“Kështu që mendoj se është dorë e fortë, dorë e mirë që ne të kemi drejtësi në futboll’’, – përfundoi trajneri i Teutës, Edi Martini. Takimi Teuta-Partizani luhet të shtunën në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:45.