AlbanianSport.com 08/09/2021 22:55
ASNN – Ka qenë natyrshëm i kënaqur, teksa ka parë skuadrën e tij të realizojë 5 gola ndaj një kundërshtari që e kishte vënë në vështirësi herën e fundit që patën luajtur, por nuk ngurron as të kritikojë atë apo ato që nuk i pëlqyen. Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka deklaruar se ishte i kënaqur nga rezultat e vendin i dytë në renditje në grup. Duke folur për mediat pas fitores 5-0 ndaj San Marinos, ai theksoi se ekipi kishte bërë mirë, edhe pse kishte patur disa pakënaqësi me mënyrën sesi lojtarë të caktuar kuqezinj, në disa momente, kishin ngadalësuar manovrën e ekipit.
“Në pjesën e parë luajtëm mirë, por ishim pak konkretë, ndërsa në pjesën e dytë kemi luajtur më pak mirë, por ishim më konkretë, – ka thënë italiani i stolit kuqezi. – Në pjesën e parë bëmë manovra të mira, por nuk finalizuam. Në pjesën e dytë ishim më shumë finalizues, sepse vendosa në fushë Brojën e Roshin, më të fortë fizikisht. Ata u lodhën, ne gjetëm golin e dytë dhe gjerat u bënë më të thjeshta. Nuk më pëlqeu që dikush bënte pasime me thembër, sepse vonohej manovra. Mua më pëlqen që, në 90 minuta, të kesh ritëm të lartë, duhet luajtur, si kemi bërë në pjesën e parë. 6 pikët janë ato që kishim parashikuar dhe kemi thënë që nëse duhej të ishim konkurrues, duhej të fitonim këto ndeshje.”
“Mendonim të bënim pikë në Poloni, por nuk ishim me fat, – vijoi 75-vjeçari. – Ekipi po luan mirë, djemtë po besojnë dhe jemi një grup i mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund. Të rinjtë janë përgjigjur mirë, është Bajrami që na jep cilësi në mesfushë, është Broja që po pret gati, është lojtar i rëndësishëm. Unë po kërkoj lojtar por edhe për të vazhduar me këta lojtarë se ka harmoni, argëtohen në stërvitje dhe në ndeshje.” Më tej, trajneri i Kombëtares ka rrëfyer një hollësi interesante: “Isha në stol, teksa po kryesonim 5-0 dhe po më thonin që fitonte Anglia, ishim të lumtur. Por, pastaj erdhi një dush i ftohtë me golin në shtesë.”
“Por nëse duam të vazhdojmë ëndrrën, duhet të mundim Poloninë këtu, – ka këmbëngulur Reja. – Tani jem të dytët, është rezultat i rëndësishëm. Duhet të mbajmë këtë pozicion, çdo ndeshje mund të luhet. Nëse luajmë me vëmendje, kjo skuadër mund të bëjë mirë kudo. Broja ishte shumë i aftë se u tregua altruist, se gjen lojtarët, nuk është se vetëm kërkon golin. Kjo më kënaq se ka treguar përunjësi, di çfarë do të thotë një shok, të jesh bashkë, ai ta jep topin. Ashtu edhe Uzuni, më pëlqen kjo lloj sjellje, jo një egoist. Kjo është diçka e mirë, kur shoku është në pozicion më të mirë duhet të pasosh. Kjo është ndër gjërat më të mira të ndeshjes.”