AlbanianSport.com 07/09/2021 21:55
ASNN – Pjer Gasly dhe Juki Tsunoda do të jenë dyshja e pilotëve të “Alfa Tauri”-t edhe për sezonin e ardhshëm. Kjo është skuadra e vetme që këtë sezon ka arritur të marrë pikë në çdo Çmim të Madh në Formula 1. E krijuar pas largimit të “Minardi”-t, aktualisht e 6-ta në renditjen e skuadrave në këtë Botëror, vetëm 6 pikë larg skuadrës franceze “Alpine”, ajo ka arritur të gjejë rezultate të mira nga dy pilotët e saj, Gasli dhe Tsunoda.
“Jam i lumtur të deklaroj se skuadra AlfaTauri ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me të dy pilotët aktualë edhe për sezonin 2022, – ka thënë drejtuesi i kësaj skuadre. – Gjatë këtyre viteve së bashku rritja e Pjerit ka qenë mbresëlënëse. Ka arritur të ngjitet në 3 shkallët e podiumit. Jam i bindur se do të arrijmë të tjera ndaj po i besojmë edhe për sezonin e ardhshëm. Mbi të gjitha që me përvojën e tij, ai ka ndihmuar edhe Jukin për t’u rritur në Formula 1.”
Në fakt, japonezi ka ambicie dhe këtë e konfirmojnë edhe inxhinierët, të cilët deklarojnë se ai po merr informacione duke u përmirësuar vazhdimisht. Ndërsa piloti francez ka shprehur kënaqësinë për qëndrimin edhe një vit me skuadrën aktuale duke përgëzuar edhe për punën e mirë që është bërë ndër vite. “Kam që në 2017-ën këtu dhe më vjen mirë të deklaroj se skuadra ka bërë një punë të mirë”, – ka deklaruar Gasli.
“Këtë e tregojnë edhe rezultatet e arritura, – ka vijuar piloti francez. – Më vjen mirë që do të jem edhe një vit tjetër këtu.” Tepër entuziast ka qenë edhe Juki Tsunoda, i cili ka deklaruar: “Jam me të vërtetë i kënaqur që do të jem edhe një vit tjetër me skuadrën e “Alfa Tauri”-t. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me Pjer Gaslinë dhe nga ai kam mësuar shumë. Mezi prej të garoj sërish me këtë skuadër edhe për një sezon tjetër.”