AlbanianSport.com 07/09/2021 21:10
ASNN – Në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishme për Kombëtaren, trajneri Edoardo Reja dhe futbollisti Elseid Hysaj kanë dalë në konferencën zyrtare për mediat në mjediset e kampit stërvitor në Durrës, ku janë shprehur se objektivi i kuqezinjve për këtë sfidë do të jetë vetëm fitorja. Kapiteni Hysaj vlerësoi forcën e grupit dhe vlerën e lojtarëve që ka Kombëtarja në përbërje, me lojtarë të shumtë që janë në nivele të larta. “Sigurisht është ndjesi shumë e mirë fitorja ndaj Hungarisë, sepse edhe kur je jashtë, duke e parë nga stadiumi, është akoma më e keqe ndjesia”, – ka thënë ai.
“Kur shikon skuadrën që po luan, dhe ti nuk mundesh t’i japësh një dorë, – ka vijuar shkodrani. – Duhej kjo fitore sepse e motivon sa më shumë skuadrën për të ecur sa më përpara, sepse kemi mundësi të kualifikohemi, kemi mundësi deri në fund të këtyre ndeshjeve të shkojmë në Katar, kështu që pse jo, mos të jemi të motivuar 100% për ndeshjet e radhës. Vetëbesimin e kemi që më parë, por po e forcojmë akoma edhe më shumë, sepse vërtetë jemi një skuadër shumë e fortë dhe besoj se Shqipëria nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë futbollistë në nivelin evropian dhe që aktivizohen në skuadrat që luajnë tani.”
“Kështu që duhet të kemi besim në vetvete sepse jemi vërtetë një skuadër shumë e fortë që duhet thjesht të shkojë në fushë me vetëbesimin që mund të bëjmë më mirë, siç e pamë edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë, sepse me të vërtetë luajmë mirë dhe kishim raste për të shënuar gola, – ka theksuar futbollisti që së fundmi ka lënë Napolin për t’u ribashkuar tek Lacio me ish-trajnerin Sarri. – Për të ardhmen kjo na duhet, besimi në vetvete që jemi një skuadër e fortë dhe mund të luajmë me të gjitha ekipet.” Po cilin sheh mbrojtësi kuqezi si kundërshtarin direkt të Shqipërisë midis Hungarisë dhe Polonisë?
“Të dyja këto skuadra janë në nivele të mira, por thjesht Polonia, siç e dimë të gjithë ka Levandovskin, një lojtar me emër në të gjithë botën që bën diferencën në fushë, – është përgjigjur Hysaj. – Kurse Hungaria është një ekip që punon si ne, një ekip i mbledhur që përpiqet të bëjë mirë. Me të dyja ekipet do kemi konkurrencë deri në fund të Eliminatoreve për vendin e dytë. Kemi edhe në mesfushë edhe në sulm, pasi siç e pamë edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë, mesfusha dha maksimumin dhe ishin të rëndësishme lëvizjet që bënin në fushë. E rëndësishme është të kemi edhe sulmuesit që të shënojnë, dhe këtë po e bëjnë.”
“Cikalleshi shënoi në Poloni, Broja sapo hyri, i dha një dorë skuadrës dhe me të vërtetë ndërrimet janë të rëndësishme në këtë veprimtari. – Një minutë lojë mund të ndryshojë të gjithë ndeshjen, siç ndodhi edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë. Besoj se me kohën do kemi edhe më shumë vlera në mesfushë dhe sulm. Kemi mundësi të marrim pikë ndaj Polonisë dhe Hungarisë. Ndaj San Marinos, ne jemi një ekip i favorizuar dhe 3 pikëshi duhet të jetë i yni. Kurse ndeshjet ndaj Polonisë dhe Hungarisë, mezi i presim, sepse në Poloni na ka mbetur pak inati, sepse ndeshjen e bëmë ne.”
“Të gjitha statistikat ishin në favorin tonë. E kemi parë edhe njëherë ndeshjen se si kemi luajtur dhe kishim gabime personale, por duhet t’i rregullojmë sa më shpejt dhe besoj që do të jenë ndeshjet më të bukura që do të bëjmë në këto Eliminatore, si me Poloninë dhe me Hungarinë”, – përfundoi futbollisti i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj.