AlbanianSport.com 06/09/2021 18:25
ASNN – Hemiltoni i dorëzon kreun Verstapenit. Britaniku pranon se “Red Bull”-i është një hap para tyre. Ljuis Hemilton e pranon se rivali për titull, Maks Verstapen, dhe “Red Bull” janë “një hap përpara” dhe “bënë një punë më të mirë gjatë gjithë kohës” drejt fitores në Çmimin e Madh të Holandës. Piloti britanik ia ka dorëzuar tashmë kryesimin me renditjes së përgjithshme për pilotë Maks Verstapenit. Holandezi ishte shumë larg të gjithë pilotëve të tjerë, ndërsa më pranë tij ishin vetëm dy pilotët e “Mercedes”-it, Hemiltoni dhe Valteri Botas.
23-vjeçari tani është 3 pikë larg 7-herë “kampioni i botës”, Hemiltonit, i cili fitoi një pikë më shumë për xhiron më të shpejtë. Verstapeni ka 224.5 pikë kundrejt 221.5 të Hemiltonit. “Ata thjesht bënë një punë më të mirë gjatë gjithë kohës”, – tha Hemiltoni, i cili ka fituar 4 nga garat e sezonit, por është në pritje të fitores së tij të 100-të në karrierë. “Ata patjetër ishin më të shpejtë në Holandë, unë nuk kisha shumë gjëra që mund të bëja për t’iu përgjigjur xhirove që ai bënte”, – ka vijuar ai. – Unë mendoj se ne ndoshta kishim nevojë që gjithçka të ishte e përsosur për të pasur edhe shansin më të vogël për t’i kaluar dhe këtë mund ta realizonin vetëm nëpërmjet strategjisë.”
“Por ata kanë bërë një hap përpara, – shtoi britaniku, që edhe pse piloti më i suksesshëm i Formulës 1 i të gjitha kohërave, përballet me një sfidë të madhe nëse do të fitojë një kampionat të 8-të apo jo, ndërsa pranon që gara e ardhshme në Monza në Itali do të jetë e vështirë. Britaniku ishte kritik ndaj strategjisë së ekipit të tij, kur u thirr dy herë shumë shpejt në garazh, ndërsa mund të synonte parakalimin e Verstapenit. “Unë përfundimisht mendoj se kjo nuk ishte strategjia jonë më e mirë”, -tha ai.
“Ne u ndalëm shumë herët për ndërrime gomash, në një pikë ku sapo kaluam trafikun, unë kisha humbur një sekondë të mirë prej tij dhe më duhej ta mbyllja atë hendek para se të bënim një ndalesë. Dhe pastaj dola prapa në trafik. Unë nuk e di se si drejtuesit tanë nuk e panë këtë”, – ka përfunduar piloti i “Mercedes”-it, Ljuis Hemilton.