AlbanianSport.com 06/09/2021 18:40
ASNN – Ditën e hënë, në konferencën për shtyp kanë dalë dy futbollistët kuqezi, Endri Çekiçi dhe Marash Kumbulla, të cilët kanë folur rreth ndeshjes ndaj hungarezëve si dhe për sfidën ndaj përfaqësueses së San Marinos. Marash Kumbulla, mbrojtësi kuqezi, nuk e fshehu kënaqësinë për fitoren e arritur mbrëmjen e së dielës në Stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Hungarisë.
“Jam shumë i lumtur që mbrëmë fituam dhe gjithë skuadra luajti mirë, – ka deklaruar futbollisti i ri që luan në Serinë A të Italisë me Romën. – Unë besoj se përveç dy rasteve që pati kundërshtari mbrëmë paraqitja ishte në favorin tonë. Normale rezultati në Poloni tregon që nuk kemi bërë paraqitje të mirë ndaj Polonisë, por jam i lumtur për ndeshjen me Hungarinë.”
“Shokët e skuadrës më ndihmojnë shumë këtu, – ka vijuar 21-vjeçari. – Nuk kam problem të luaj me këdo që zgjedh trajneri. Asnjë lojtar nuk është titullar i padiskutueshëm. E rëndësishme është të jesh pjesë e ekipit kombëtar. Kush luan do të japë 100 %. Dëshira jonë është të bëjmë më mirë, të shkojmë në “play-off”-in e Botërorit.”
“Është e vështirë se janë ekipe të forta. Do të japim maksimumin në fushë, Insha’Allah po shkojmë në “play-off”. Rivalët për vendin e dytë? Duke qenë se Anglia është një nivel tjetër, besoj se të dyja skuadrat e tjera, Polonia dhe Hungaria, janë rivalë direkt. Kanë rivalitet, por unë besoj se janë të dyja në garë ende”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla.