AlbanianSport.com 05/09/2021 17:35
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve ka zhvilluar ditën e diel ndeshjen e dytë miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Izraelit, takim ky që u luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Sfida, që nisi në ora 10:00 të paradites, përfundoi në barazimin 2-2. Në këtë ndeshje u përdor edhe Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), një nga investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), që do të jetë pjesë e ndeshjeve të Kategorisë Superiore për sezonin 2021-2022, si edhe Kupës së Shqipërisë, duke filluar që nga faza çerekfinale e deri në finalen e madhe.
Ishin izraelitët ata,të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 9-të të takimit. Megjithatë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu zhvilluan një pjesë të parë të mirë, duke iu afruar në disa raste golit të barazimit, por topi nuk e kaloi vijën e portës kundërshtare. Në minutën e 59-të të pjesës të dytë të lojës, gjyqtari i ndeshjes akordon një 11-metërsh në favor Izraelit, pasi iu drejtua edhe ekranit të VAR-it për të parë rastin. Izraelitët shënojnë golin e dytë të takimit nga pika e bardhë. 8 minuta më vonë, Shqipëria kundërpërgjigjet me një gol mjaft të bukur të shënuar nga Adrian Neziri, i cili shkurton rezultatin duke goditur nga brenda zonës dhe duke e dërguar topin në rrjetën kundërshtare.
Për golin e barazimit do të mendonte Eljo Toci, i cili shndërroi në gol një 11-metërsh të akorduar nga gjyqtari në minutën e 94-t të takimit. Këto dy ndeshje i shërbyen trajnerit kuqezi Armando Cungu për të testuar dhe për të parë gjendjen e lojtarëve që luajnë në kampionatet jashtë vendit, duke pasur parasysh që trajneri ka pasur pak mundësi t’i shikojë nga afër për shkak të situatës së krijuar nga epidemia e “Covid-19”. Shqipëria e Nën-19-vjeçarët po përgatitet për Eliminatore e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe, ku Kombëtarja kuqezi është në grupin 7, së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nën-19-vjeçarët:
Shqipëri – Izrael 2-2
Formacioni i Shqipërisë: Simoni, Dervishi (Greca 46’), Cehu (Papaj 46’), Bytyqi (Thaleb 46’) , Nerguti, Zenelaj (Asallari 75’), Arapi (Neziri 46’), Bibo (Qefalija 55’), Shpendi (Halilaj 70’), Toci, Cipi.