AlbanianSport.com 04/09/2021 22:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ka zhvilluar ditën e shtunën ndeshjen e parë miqësore të planifikuar ndaj përfaqësueses së Izraelit. Sfida, që nisi në ora 16:30 dhe që u zhvillua në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. përfundoi në barazimin 1-1. Cungu hodhi në fushë këtë formacion: Ueiper, Dervishi, Preka, Cehu, Bytyçi, Nerguti, Zenelaj, Qefalija, Asallari, Shpendi dhe Toçi. Kuqezinjtë e Cungut zhvilluan një ndeshje të bukur, me raste të krijuara, por, për fat të keq, arritën të finalizonin në portën kundërshtare vetëm një herë.
Në fakt, ishin izraelitët ata të cilët kaluan në epërsi të parët, duke i ndëshkuar kuqezinjtë në minutën e 26-të të takimit. Cungu bën dy zëvendësime në minutën e 41-të, me Çipin dhe Papajn, që futen në fushë, dhe Cehun e Qefalijën, që dalin nga loja. Asgjë nuk ndryshon në këto minuta të fundit të fraksionit të parë të lojës, që mbyllet në epërsinë e miqve, me shifrat 1-0. Me nisjen e pjesës së dytë, Cungu vendos të hedhë në fushë Bibon dhe Nezirin, të cilët zëvendësojnë Asallarin dhe Prekën. 45 minutat e dyta të sfidës flasin më shumë për ekipin e drejtuar nga trajneri kuqezi.
Kuqezinjtë krijojnë më shumë, teksa një rast i artë vjen nga këmbët e Endri Zenelaj, i cili godet fort nga jashtë zone, por topi godet shtyllën, duke i mohuar kështu golin. Barazimi do të vinte vetëm në minutën e 88-të të takimit, me Kristian Shpendin, sulmuesin shqiptar i cili aktivizohet në radhët e Çezenës. Ndeshja mbyllet kështu me rezultatin 1-1, një sfidë ku Armando Cungu pati mundësinë të shikonte nga afër edhe elementët e rinj të cilët aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, për të krijuar një ide më të qartë mbi lojtarët që do të përbëjnë grupin përfundimtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, ku Kombëtarja ndodhet në grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.