AlbanianSport.com 04/09/2021 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve ka mbërritur tashmë në Republikën Çeke dhe po bën përgatitjet e fundit në prag të sfidës së radhës së Eliminatoreve të “Euro 2023”, atë ndaj skuadrës së bashkëmoshatarëve vendase. Kuqezinjtë ndodhen të grumbulluar në qytetin e Çeske Budejovicës, rreth 2 orë larg Pragës, ku edhe do të zhvillohet ndeshja Republika Çeke- Shqipëri, në datën 6 shtator 2021.
Nga data 29 gusht, kur edhe nisi grumbullimi i ekipit kombëtar të Nën-21-vjeçarëve e deri më tani, lista e lojtarëve të thirrur nga trajneri Bushi ka ndryshuar disa herë. Disa lojtarë janë thirrur nga trajneri Edoardo Reja në Kombëtaren e të rriturve, të tjerë kanë qenë të dëmtuar dhe nuk janë nisur fare drejt Shqipërisë, pas konsultave me mjekët e skuadrave përkatëse. Por ka patur edhe lojtarë që nuk i janë përgjigjur ftesës për në Kombëtaren së Nën-21-vjeçarëve, për arsye personale.
Por një lajm i mirë ka ardhur për skuadrën kuqezi të Nën-21-vjeçarëve, kur me ta janë bashkuar edhe dy lojtarë që ishin thirrur në Kombëtaren e Rejës, Ernest Muçi dhe Mario Mitaj. Grupi i futbollistëve që ka në dispozicion trajneri Bushi ka në përbërje edhe futbollistë të rinj, të moshën 17 apo 18 vjeç. Por në intervistat e dhëna ata janë optimistë dhe synojnë për një rezultat pozitiv. Ndërsa vetë trajneri Bushi ka pranuar faktin se përballë do të kenë një kundërshtar të fortë.
Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka luajtur deri tani vetëm një ndeshje në grup, atë me Andorrën, të cilën e ka fituar 3-0.