AlbanianSport.com 03/09/2021 19:55
ASNN – Futbollisti 22-vjeçar vjen si huazim nga skuadra turke e Giresunsporit. Trajneri Ilir Daja ka marrë të premten në mbrëmje një lajm të mirë, pasi është mësuar se Esat Mala do të jetë pjesë e skuadrës së Partizanit dhe për sezonin e ri. Klubi i kuq ka bërë publik lajmin që qarkullonte prej ditësh, zyrtarizimin e mesfushorit për sezonin 2021-2022. Mala u largua gjatë merkatos së verës në drejtim të Turqisë, për t’u bashkuar me Giresunsporin.
Por aventura turke nuk shkoi ashtu siç duhet dhe mesfushorit iu desh të gjejë një akomodim të ri. Partizani u përgjigj menjëherë për të siguruar shërbimin e lojtarit për edicionin e ri, duke kthyer në futbollin shqiptar edhe në një nga emrat më të vlerësuar në Superiore. Marrëveshja për kthimin e Malës është bërë me formulën e huazimit të futbollistit, siç shpjegoi klubi në njoftimin zyrtar.
“FK Partizani njofton rikthimin e Esat Malës në familjen e kuqe, – shkruan klubi kryeqytetas në një postim në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale. “Drejtuesit dhe lojtari kanë arritur marrëveshjen me klubin turk të Giresunspor për huazimin e mesfushorit 22-vjeçar, i cili do të jetë pjesë e 16-herë kampionëve të Shqipërisë për sezonin e ri futbollistik”, – përfundon njoftimi i Partizanit.