AlbanianSport.com 02/09/2021 19:35
ASNN – “Euro 2020” u ndoq nga një audiencë totale prej më shumë se 5 miliardë shikuesish. Sipas UEFA-s, çdo ndeshje ka tërhequr rreth 100 milionë shikues. Ndërsa finalja midis Anglisë dhe Italisë u ndoq nga 328 milionë njerëz në mbarë botën. Kështu, “Euro 2020” ka patur një audiencë prej më shumë se 5 miliardë shikuesish, sipas shifrave të publikuara nga organizmi që qeveris futbollin kontinental. Turneu evropian, i luajtur në 11 qytete, përfshirë edhe Londrën, gjatë muajve qershor dhe korrik, tërhoqi mesatarisht 100 milionë shikues për secilën ndeshje, thanë të enjten drejtuesit e UEFA-s.
Vetëm finalja Itali-Angli, e luajtur në mitikun “Uembli”, më 11 korrik 2021, tërhoqi një audiencë prej 328 milionë. “Euro 2020” ka qenë ngjarja televizive më e shikuar në Mbretërinë e Bashkuar në 24 vjet dhe në Itali, që nga 2012. Drejtori i marketingut i UEFA-s, Gi-Lorën Epstajn, përshëndeti audiencën totale, prej 5.23 miliardë shikuesish duke thënë: “Shifrat e jashtëzakonshme të audiencës televizive tregojnë tërheqjen masive që pati “EURO 2020”, jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Turneu ka një audiencë globale e cila vazhdon të rritet.
“Veçanërisht në Amerikën e Veriut dhe Azi, ku baza e tifozëve pas Evropianit vazhdon të zgjerohet”, – shtoi ai. Në përgjithësi, shifrat janë pak më të larta se turneu i mëparshëm i mbajtur në Francë në 2016, i cili tërhoqi pak më pak se 5 miliardë shikues në përgjithësi, megjithatë, UEFA inkurajohet nga rritja në tregjet globale. Ndikimi i turneut në mediat sociale ishte gjithashtu domethënës, me autoritetet dhe transmetuesit e futbollit që eksploruan mënyra për të përfshirë audiencën më të re. “Euro 2020” ishte Kampionati Evropian “më i angazhuar” deri më tani, me 7.5 miliardë ndërveprime dhe shikime, nga të cilat dy miliardë u krijuan nga llogaritë zyrtare të UEFA -s.