AlbanianSport.com 01/09/2021 19:25
ASNN – Shqipëri e Nën-21-vjeçarëve vazhdon përgatitjet për ndeshjen eliminatore ndaj Republikës Çeke, që do të luhet në fushë të huaj më 6 shtator, duke nisur nga ora 18:00. Pasi ka plotësuar grupin, trajneri Alban Bushi është duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, për të qenë në formë maksimale përpara një sfide të vështirë.
Duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për gjendjen e skuadrës dhe objektivin në këtë ndeshje të radhës, dy prej futbollistëve kuqezinj, Anis Mehmeti dhe Mehdi Çoba, nuk e fshehin kënaqësinë e të qenit në Kombëtare dhe shprehen se objektivat e kësaj skuadre duhet të jenë maksimale.
Anis Mehmeti, mesfushori i Uikomb Uondërërs në Angli, është optimist që skuadra do të arrijë të triumfojë në vizitën çeke, përtej mungesave që ka në përbërje. “Ndjehem shumë mirë dhe skuadra më ka pritur shumë mirë, – ka thënë ai fillimisht. – Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen me Republikën Çeke. Unë besoj se do të marrim rezultat, do të fitojmë.”
“Do të punojmë shumë fort të gjithë këtë javë dhe shpresojmë të kthehemi nga Republika Çeke me fitore, – ka theksuar lojtari Shpresave kuqezi. – Kjo skuadër është e fortë. Ne jemi shumë lojtarë me kualitet të lartë dhe presim me besim ndeshjen në transfertë. Unë personalisht e ndjej veten shumë mirë, skuadra më ka pritur mirë.”
“Kam pasur ndeshje para dy ditësh por tani jam përqendruar këtu për Kombëtaren shqiptare, – ka përfunduar futbollisti i ri, Anis Mehmeti. Ndërkaq, sulmuesi i ri i Vllaznisë, Mehdi Çoba, vjen për herë të parë në grumbullim për Kombëtaren kuqezi të Nën-21-vjeçarëve, dhe nuk e fsheh gëzimin, teksa thotë: “Kënaqësi e veçantë të jesh këtu dhe do të bëj maksimumin për këtë skuadër”.
“Më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur. Me Repubikën Çeke do të fitojmë sepse jemi një skuadër shumë e mirë. Lojtarët janë cilësorë, duke njohur dhe ekipin më mirë shpresojmë që të marrim maksimumin”, – ka përfunduar futbollisti i ri shkodran, Mehdi Çoba. Ndeshja Republika Çeke-Shqipëri për Nën-21-vjeçarët do të luhet më 6 shtator 2021, duke nisur nga ora 18:00.