AlbanianSport.com 31/08/2021 21:40
ASNN – Kandidati i vetëm për President të FSHB-së shpalosplatformën e tij. Basketbolli shqiptar do të organizojë më 4 shtator Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, aty si kandidat i vetëm për president do të jetë presidenti aktual, Avni Ponari. Duke folur mbi këtë fakt, ai ka shprehur keqardhjen për mosdaljen e një kandidati alternativ.
“Nuk më takon mua të komentoj pse nuk pati kandidatë të tjerë, – ka thënë Ponari, duke folur për mediat gjatë ceremonisë së mbylljes së verë ndërkombëtare të koshit për Kombëtaret e moshave. – Di që Federata ka ndjekur të gjithë procedurat e nevojshme dhe ka qenë gjithçka e hapur, madje edhe përtej afateve normale, për këto që kishte interes për të kandiduar.”
“Edhe unë vetë do të kisha qenë i lumtur po të kisha një kandidat e aq më i lumtur po të kisha një kandidat edhe më të mirë sesa veten”, – ka vijuar ai. Më tej, Ponari ka shpalosur edhe thelbin e platformës së tij për një mandat tjetër. “Platforma ime është e thjeshtë, – ka thënë ai. – Vetëm duke qenë të gjithë së bashku mund ta çojmë përpara basketbollin.’
Në fund, ai ka zbuluar edhe moton e mandatit të ardhshëm, që është: “Për një basketboll cilësor!”