AlbanianSport.com 29/08/2021 20:05
ASNN – Trajneri i Shpresave kuqezi. Alban Bushi nuk e ka fshehur kënaqësinë që shumë prej lojtarëve që ishin në ndeshjen e parë ndaj Andorrës këtë herë janë në Kombëtaren e të rriturve. “Jam shumë i kënaqur që ekipi kombëtar i të rriturve ka marrë një pjesë shumë të madhe lojtarësh nga skuadra jonë e Nën-21-vjeçarëve, – ka deklaruar Bushi. – Këta radhë janë 4 lojtarë, Çepele, Muҫi, Mitaj dhe Broja. Unë dua të falënderoj në radhë të parë Drejtorinë Teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).”
“Sepse jemi nga të paktat skuadra në Evropë që kemi një mesatare moshe të vogël, që tregon se është bërë një punë mjaft e mirë, intensive dhe cilësore për të ardhmen e Shqipërisë, – ka vijuar ai. – Mendoj se trajneri Reja ka ekipin më të mirë në historinë e Shqipërisë, për nga cilësia e lojtarëve dhe klubet ku aktivizohen dhe për këtë mendoj se Shqipëria do të bëjë shumë mirë në të ardhmen. Po të shikojmë ekipin e të rriturve, dallojmë se janë 30% e lojtarëve që kanë kaluar nga Nën-21-vjeçarët këto 3-4 vitet e fundit.”
“Kemi bërë një punë të mirë 10-15 vitet e fundit që po jep frytet e saj”, – ka shtuar Alban Bushi, i cili, si një ish-sulmues i Kombëtares, është pyetur edhe për momentin e shkëlqyer që po kalojnë sulmuesit kuqezinj nëpër Evropë. “E thashë edhe më lart, është ekipi më i mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, sidomos në repartin e sulmit, – ka thënë ai. – Ka shumë sulmues golash. Unë dikur kam thënë që Broja do të bëhet një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares, me Manajn fillon ndeshja 1-0, Cikalleshi e Balaj me përvojën e tyre.”
“Ka shumë elementë cilësorë dhe është një luks për trajnerin, sepse kemi një moshë të re, gjë e cila të bën të shpresosh edhe për të ardhmen. Dikur nuk kishte zgjedhje, tani ka 7 sulmues, ku duhet të përmend edhe Xhakomo Vrionin, që nuk është grumbulluar dhe dje shënoi përsëri. Shqipëria është në rrugë të mirë, prandaj bëra në hyrje dhe një falënderim për strukturën e Drejtorisë Teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF)”, – përfundoi trajneri i përfaqësueses kuqezi të Nën-21-vjeҫarëve, Alban Bushi.