AlbanianSport.com 09.12.2014 17:45
ASNN – Gjirokastritët pohojnë të kundërtën e pretendimit të Butrintit: Cjapi favorizoi vendësit. Luftëtari, pas një fillimi jo premtues në kampionat, teksa u mund dy herë në fushën e vet 0-2 nga Dinamo dhe 0-1 nga Sopoti e më pas dhe 1-3 në Berat, duket se ka reaguar drejt pas kritikave të para të presidentin Bime, i cili kishte kërcënuar deri në largime futbollistësh, apo dhe të trajnerëve. Dhe zotimi i trajnerit Bledar Devolli, apo dhe deklarimi i kapitenit të bluzinjve, Fejzo Shenaj, e ka transformuar shpejt skuadrën gjirokastrite.
Thënia dhe premtimi i tyre se këtej e tutje do të shihni një Luftëtar ndryshe duket se po vërtetohet disa-ditës. Ka shumë ndeshje që skuadra gjirokastrite i është kthyer rezultateve pozitive, ndërsa këtu bën përjashtim ndeshja në Lushnjë, e cila u humb për shkak të disa gabimeve foshnjarake dhe jo si rezultat logjik i asaj që është zhvilluar në fushë. Ndeshja e zhvilluar të shtunën e kaluar në Sarandë ndaj Butrintit ishte treguesi më i mirë se Luftëtari me të drejtë pretendon ngjitjen në Kategorinë Superiore. Për sa i përket pretendimeve të sarandjotëve se Luftëtari u favorizua nga gjyqtari Cjapi, në fakt duhet pohuar e kundërta e asaj që thonë drejtuesit e Butrintit.
Më parë Luftëtarit iu anulua një gol sipas tyre, i rregullt, dhe pas 11-metërshit që ata kontestojnë duhet të pranojnë se u favorizuan më shumë nga ç’duhej në kompensim të sharjeve të shumta nga publiku dhe hedhjeve të sendeve të forta në fushë. Dhe në këtë situatë, gjyqtari i ndeshjes ka qenë i detyruar të ndërpresë disa herë takimin për të kërkuar qetësimin e situatës, veçanërisht me kapitenin e Butrintit, Dhiogjen Muço. Duhen përgëzuar veprimet pozitive të kryebashkiakut Stefan Çipa, i cili me qëndrimin që mbajti, nuk lejoi degjenerimin e situatës.