AlbanianSport.com 28/08/2021 18:10
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka shpallur listën e lojtarëve që do të grumbullohen për tre ndeshjet e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos. Lista është e përbërë nga 27 lojtarë, ndërkohë që mes risive janë debutuesi Ernest Muçi, i cili vjen nga Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve, teksa, ndryshe nga miqësoret e qershorit, rikthehen në listë të rinjtë Ramen Çepele, Mario Mitaj, Enis Çokaj dhe Armando Broja.
Sa i përket pjesë tjetër, janë të njëjtët lojtarë që kanë qenë rregullisht pjesë e përfaqësueses në ndeshjet e fundit. Tre portierët janë Etrit Berisha, Tomas Strakosha dhe Gentian Selmani. Në mbrojtje janë thirrur Elseid Hysaj, Albi Doka, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ramen Çepele, Lorenc Trashi, Mario Mitaj, Erjon Hoxhallari. Në mesfushë janë gati Amir Abrashi, Klaus Gjasula, Enis Çokaj, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Qazim Laçi, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi.
Në sulm Ernest Muçi, Bekim Balaj, Armando Broja, Sokol Cikalleshi, Rei Manaj dhe Myrto Uzuni. Zyra e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka bërë të ditur se Kombëtarja do të nisë grumbullimin të dielën e 29 gushtit 2021 me lojtarët që do të bashkohen me stafin në Varshavë. Lojtarët që janë të impenjuar me klubet e tyre në ndeshjet e kampionateve përkatëse të shtunën dhe të dielën, do të mbërrijnë në kampin kuqezi të hënën.
Përfaqësuesja shqiptare do të përballet më 2 shtator 2021 me Poloninë në fushën të huaj, me sfidën që luhet në Stadiumin “PGE Narodovi” të Varshavës, duke filluar nga ora 20:45. Më 5 shtator 2021, Shqipëria pret Hungarinë në ndeshjen e 5-të të këtyre Eliminatoreve, që luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur në ora 18:00. Sfida e 3-të e shtatorit është ajo e datës 8, me Kombëtaren që do të presë San Marinon po në Stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshje kjo që nis në ora 20:45.