AlbanianSport.com 28/08/2021 15:55
ASNN – Futbolli shqiptar nis sot zyrtarisht sezoni e ri me finalen e Superkupës së Shqipërisë midis Teutës dhe Vllaznisë, që luhet në Stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00. Në këtë ndeshje do të përdoret për herë të parë në Shqipëri edhe sistemi VAR (Video Assistent Referee – Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos), që është edhe risia e investimi më i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në edicionin e ri të futbollit.
Plot 180 ndeshje të Kategorisë Superiore 2021-2022 do të luhen me sistemin VAR, ndërkohë që ky sistem do të përdoret edhe në Kupën e Shqipërisë duke filluar që nga faza çerekfinale e deri në finalen e madhe. Prej disa javësh, FSHF-ja ka organizuar procesin e zbatimit të Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos përmes testimeve në disa ndeshje miqësore dhe trajnimet e fundit për të filluar aplikimin e tij nga sot.
Procesi ka qenë i ndarë në 3 faza, ku janë zhvilluar seminarët teorikë me gjyqtarët, ku u prezantuan me teknologjinë, u dhanë informacionet mbi mënyrat e përdorimit të aparaturave për të gjithë stafin teknik dhe atë të gjyqtarëve. Seminarët janë drejtuar nga Aleksandër Papën, përfaqësues i kompanisë EVS dhe Majk Van Der Rëst, drejtues i projektit “VAR” në FIFA. Gjithashtu, janë kryer trajnimet në fushë, me ndeshje të vërteta.
Por edhe në stadium ku transmetimit televiziv i bashkëngjitet edhe Sistemi “VAR”, në të cilat gjyqtarët kanë vepruar si në ndeshje të vërteta, ku në rast vendimesh të dyshimta komunikojnë me VAR dhe kërkojnë ndërhyrjen e tij. Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos synon të minimizojë në maksimum gabimet njerëzore të gjyqtarëve dhe futja në përdorim e këtij sistemi do të ndikojë ndjeshëm për të pasur vendime sa më të drejta në fushën e lojës.