AlbanianSport.com 27/08/2021 21:40
ASNN – Liga e Konferencës do të ketë Ambasador të finales “Tirana 2022”, Lorik Canën, i cili mori pjesë në hedhjen e shortit dhe u prit me nderimet më të mëdha nga organizmi që qeverisë futbollin evropian. Duke folur në nisje të shortit, ish-kapiteni legjendar theksoi se vendimi për ta luajtur finalen e Ligës së Konferencës, në një prej stadiumeve më moderne në Evropë, është vlerësim për arritjet e mëdha që futbolli shqiptar ka bërë gjatë viteve të fundit.
“Nëse kthen kokën pas, shikon që thuajse të gjithë fëmijët që kanë pasion futbollin ëndërrojnë të arrijnë nivelet më të larta të futbollit, – ka thënë Cana gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të fazës së grupeve. – Jam i lumtur dhe shumë krenar me atë që kam arritur gjatë karrierës sime. Kisha mundësinë ta nisja Paris SG, arrita të luajë me klubin me të cilin isha tifoz si fëmijë, Olimpikun e Marsejës, më pas erdha në Turqi te Gallatasaraj e më pas te Lacio.”
“Në vija të përgjithshme, kam pasur arritje të mëdha në karrierë, edhe duke luajtur në veprimtaritë madhore të UEFA-s, Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Evropës, por, në aspektin personal, rrugëtimi im me Kombëtaren shqiptare është padyshim krenaria më e madhe, – ka vijuar ai. – Stadiumi është, le të themi, si imazh apo mesazh që vendet e Ballkanit në zhvillim duan të përçojnë, një moment vlerësimi për vendin si edhe për imazhin e shtetit dhe të qytetit.”
“Stadiumi është thjesht fantastik, shumë modern dhe një nga stadiumet më të reja në Evropë, – ka theksuar ish-kapiteni kuqezi. – Është shumë tërheqës, ndodhet në mes të qytetit dhe unë jam i sigurt që do të jemi pritës të shkëlqyer të finales së Ligës së Konferencës, por edhe njerëzit që do të udhëtojnë për të parë ndeshjen do të jenë në mes të qytetit dhe do të shijojnë vendit tonë të bukur, Shqipërinë’’,- ka përfunduar Lorik Cana, duke folur në ceremoninë e shortit.