AlbanianSport.com 27/08/2021 20:55
ASNN – Më 4 shtator, në mjediset e ish-hotel “Sheraton” në Tiranë, në ora 11:00, do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e koshit shqiptar. Një gjë të tillë është konfirmuar pas vendimit t Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që është mbledhur më 26 gusht, ndërsa tanimë është miratuar dhe kandidati i vetëm për president në Federatën Shqiptare të Basketbollit (FSHB), që do të jetë Avni Ponari, por lista e kandidatëve për anëtarë të rinj të këtij forumi.
Dhe ato janë: Edera Alibegaj, Migena Plasa, Bashkim Milo, Edmond Biçoku, Perikli Goga, Juel Jarani, Klevis Kaso, Artur Sako, Dritan Mema, Blendi Dibra, Korab Llazani, Palion Zarka dhe Besmir Iljazi. Të gjitha propozimet kanë ardhur nga shoqatat anëtare të FSHB-së dhe Komiteti Drejtues ka mbajtur mbledhjen e tij, me praninë e Edera Alibegajt, Vaso Shakës, Edmond Biçokut, Juel Jaranit.
Kjo mbledhja ka miratuar që dokumentacioni i paraqitur nga shoqatat për pjesëmarrjen në Asamblenë Zgjedhore do t’i dërgohet studios së zgjedhur ligjore, e cila më pas do të bëjë verifikimin origjinal të këtij dokumentacioni, konfirmimin e vërtetësisë, si dhe certifikimin e zgjedhjeve. Ndërkohë më 30 gusht, në ora 19:00, në mjediset e Hotel “Rogner” në kryeqytet, Federata Shqiptare e Basketbollit ka njoftuar për një tjetër eveniment.
Ajo do të bëjë një pritje për ekipet kombëtare të moshave pjesëmarrëse në Kampionatin Evopian të 2021-shit. Ndaj Komiteti Drejtues i FSHB-së ka bërë një miratim të materialit analizë për prezantimin e veprimtarive basketbollistike dhe financiare, si dhe vlerësimet e planifikuara për mbështetësit e veprimtarisë së përvitshme të saj.