AlbanianSport.com 26/08/2021 23:25
ASNN – Çdo gjë, sado e bukur apo jetëgjatë, e ka një fund, ndonëse ngandonjëherë bëhet e vështirë ta dallosh se ku është ai. Kështu edhe piloti italian, legjenda e motoçiklizmit dhe e Moto GP-së, Valentino Rosi, do të tërhiqet nga ky sport në fund të këtij sezoni. Në fakt, prej disa vitesh tashmë rendimenti i tij në pistë ka lënë për të dëshiruar.
“Ndihem mirë, por ky ishte vendimi i duhur, – ka deklaruar 42-vjeçari të enjten. – Unë mund të garoj edhe për 20 vite të tjera, por nuk mund të vazhdoj më në këtë mënyrë. Vendosa të tërhiqem pasi rezultatet nuk janë ato që prisja. Nëse nuk fiton, nuk argëtohesh. Kjo vlen për të gjithë. Për fat të keq, gjatë vitit të fundit, për shumë arsye
nuk jam më i fortë si dikur, nuk jam i shpejtë për të luftuar për podiumin dhe fitoren.”
“Niveli i pilotëve po rritet dhe, kur je i vjetër në moshë, duhet të stërvitesh më shumë, – ka vijuar i mbiquajturi “Doktori” (The Doctor). – Sot argëtohem më pak se dikur edhe pse deri në fund u përpoqa të rezistoj. Nuk doja të ndalesha kur isha në kulmin tim, “kampion bote”, pasi doja të fitoja sërish dhe nuk doja të kisha pengje. Ndaj, sot jam i lumtur dhe i qetë, pasi e di që kam qenë në majë për shumë kohë”, – përfundoi Rosi.