AlbanianSport.com 26/08/2021 17:25
ASNN – Pep Guardiola ka ftuar 8-herë “kampionin” e botës në Moto GP, Mark Markezit dhe vëllanë e tij, Aleksin, për të ndjekur një seancë stërvitore të Mançester Sitit. Udhëtimi i dy vëllezërve Markez drejt qytetit të kampionëve të Anglisë, ka qenë i sigurt përsa i përket rrezikut të “Covid-19”. City po përgatitet për ndeshjen e tyre të radhës në Premier Ligën Angleze, ndërkohë që drejtuesit e skuadrës angleze kanë ftuar yjet spanjollë të Moto GP të takojnë Guardiolën dhe të shikojnë një seancë stërvitore në kompleksin stërvitor “Etihad”.
“Ne jemi me fat që kemi Markun këtu, në një kohë që ai ka lënë qytetin e tij me diell ndërsa ka gjetur këtu mjegull dhe shi! – tha Guardiola. – Ishte mirë të mirëprisja një “kampion bote” si ai dhe të ndanim disa momente me të. Ne luajmë me një top, ai me një motor. Natyrisht, janë sporte krejtësisht të ndryshme, por nëse doni të fitoni, të ngrini nivelin tuaj, duhet të keni mendësinë e duhur.” Marku dhe vëllai i tij, Aleksi, pohuan se janë të frymëzuar nga mënyra se si Guardiola e menaxhon skuadrën e tij të Siti, teksa po synon mbrojtjen e titullit të kampionit të Premier Ligës.
“Ndihem vërtet me fat që kam ndjekur stërvitjet e Mançester Sitit nga afër, – tha Markezi. – Ishte mbresëlënëse të shihje mënyrën se si Pepi trajnon dhe stërvit lojtarët. Si një tifoz i madh i futbollit, ishte një kënaqësi. Pep Guardiola është një nga ata njerëz që duhen marrë shembull. Bëmë një bisedë të bukur me të dhe mësuam disa gjëra. Isha shumë i interesuar të kuptoja se si ai i menaxhon të gjitha këto gjëra.” Vizita e vëllezërve Marquez vjen në të njëjtën ditë që Guardiola zbuloi se do të largohej nga Mançester Siti në fund të sezonit të ardhshëm pas 7 vitesh, duke lënë të kuptohej se do ta vazhdojë karrierën në drejtimin e një ekipi përfaqësues.