AlbanianSport.com 26/08/2021 16:05
ASNN – Trajneri kuqezi do të presë deri në fund, kthehet Taulant Xhaka, por ka edhe pikëpyetje. Kreu i stolit të Kombëtares kuqezi, Edoardo Reja, pritet të bëjë të ditur brenda këtyre ditëve të ardhshme listën për 3 ndeshjet e radhës në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Pritet rikthimi i Taulant Xhakës në ngjyrat kuqezi, por Reja ka shumë pikëpyetje të tjera sa u mungesave, rikthimeve dhe kushtëzimeve për shkak të epidemisë së “Covid-19”-ës. Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë në 10-ditëshin e parë të shtatorit 3 ndeshjet e radhës në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.
Dhe trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edoardo Reja, pritet ta bëjë publike në ditët e ardhshme listën me emrat e lojtarëve të grumbulluar për këto 3 sfidat. Për vetë faktin që janë 3 ndeshje të planifikuar brenda vetëm 6 ditësh, më 2, 5 dhe 8 shtator, trajneri italian pritet të grumbullojë një kontingjent të plotë prej 26 futbollistësh. Dihet që tani që do të mungojë Ermir Lenjani dhe Amir Abrashi, ndërsa një nga ata që është detyruar t’i kthejë përgjigje përgjigje negative, është Frederik Veseli. Mbrojtësi është dëmtuar gjatë fazës përgatitore me Salernitanën e si rrjedhojë, nuk do të jetë i gatshëm për sfidat e shtatorit.
Ai ishte një nga alternativat e preferuara të Rejas në mbrojtje dhe, me mungesën edhe të Lenjanit në krahun e majtë, po për shkak të një dëmtimi, Reja është detyruar që të grumbullojë 18-vjeçarin Mario Mitaj. Një rikthim i rëndësishëm, që konfirmohet nga burime pranë trajnerit kuqezi, është ai i Taulant Xhakës në mesfushë. Rikthimi në formën fizike, që ka qenë argumenti kryesor në refuzimin e deritanishëm që ai i ka bërë ftesave kuqezi, ka bërë që gjasat që futbollisti i Bazelit të rikthehet në Kombëtare, të rriten.
Këto mungesa të shumta në mbrojtje kanë bërë që kandidat për ftesën kuqezi si i vetmi nga kampionati shqiptar të jetë mbrojtësi i Tiranës, Erjon Hoxhallari, i cili së bashku me Mitajn do të jenë alternativa për krahët e mbrojtjes. Sa u përket futbollistëve që luajnë me skuadrat shqiptare, mbetet për t’u parë nëse Taulant Seferi dhe Sherif Kallaku do të grumbullohen me Kombëtaren, edhe duke qenë se kanë patur një verë aktive me Teutën, e cila shkoi deri në turin e 3-të eliminator të Ligës së Konferencës.
Një tjetër aspekt që mund të kushtëzojë listën e Rejës është edhe gjendja e rregullave të “Covid-19”-ës për vende të ndryshme, që pritet t’i mohojë trajnerit kuqezi shërbimet e Lorenc Trashit, por mbase edhe të Armando Brojës, pasi Premier Liga Angleze po përplaset me FIFA-n sa i përket lënies së lirë të futbollistëve të përfaqësueseve që janë apo luajnë në vendet e hartës së kuqe të prekur më rëndë nga epidemia. Të gjitha këto kanë bërë që trajneri italian i Shqipërisë të presë deri në fund për të shpallur listën, duke u lutur gjithashtu që të mos ketë dëmtime apo të papritura të pakëndshme në ndeshjet e fundjavës nëpër kampionate.