AlbanianSport.com 25/08/2021 15:20
ASNN – Myrto Uzuni dhe Ferencvaroshi i tij i japin lamtumirën Ligës së Kampioneve. Ka qenë një tjetër mbrëmje për t’u harruar ajo e së martës për futbollistin shqiptar të Ferencvaroshit, Myrto Uzuni. Kampionia e Hungarisë ka flirtuar me një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, që do të ishte për të dytin sezon radhazi për këtë skuadër, duke u detyruar të kënaqej në fund me një vend në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Ferencvaroshi e pati humbur 2-3 ndeshjen e para në javë në Zvicër përballë Jang Bojs të Bernës, teksa sulmuesi shqiptar pati shpërdoruar edhe një 11-metërsh që do të ndryshonte rrjedhën e lojës. Shqiptari ka qenë titullar edhe në ndeshjen e kthimit, duke dhënë edhe pasimin për njërin nga golat, ku Ferencvaroshi përmbysi shifrat dhe e mbylli pjesën e parë në epërsi 2-1, por vijoi të përmbysej në fund, duke u mundur 2-3 dhe duke u eliminuar nga Liga e Kampioneve.
Ndërkaq, Sokol Cikalleshi është padyshim sulmuesi shqiptar më në formë. Në dy javët e para të kampionatit turk ai ka arritur të shënojë gola me shumë peshë për Koniaspori. Kavajasi ishte protagonist së bashku me Endrit Çekiçin në ndeshjen e fundit ndaj Istambul Bashaksehirit, duke e përmbysur me golat e tyre dhe i dhënë 3 pikë me shumë vlerë skuadrës së tyre. Më shumë në sy natyrshëm ka rënë Cikalleshi. “Futbolarena”, një nga mediet më të njohura sportive në Internet në Turqi e ka përfshirë shtatlartin shqiptar në 11-shen më të mirë të javës.