AlbanianSport.com 23/08/2021 23:20
ASNN – Një profil i kundërshtares së Vllaznisë së futbollit të femrave në Ligën e Kampioneve. Ka përsëritur suksesin e një viti më parë, teksa është kualifikuar për herë të dytë mes 32 skuadrave më të mira në Ligën e Kampioneve të futbollit të femrave. Dhe shorti e ka shpërblyer Vllazninë me një përballje luksi, teksa shkodranet “kanë peshkuar” një kundërshtare shumë të vështirë, por të bujshme, si Juventusi.
Por, përkundër emrit të madh që mbart skuadra e meshkujve, ajo e femrave të klubit torinez, ka një histori të re dhe modeste. Juventusi bleu ish-skuadrën e Kuneos dhe në 2017-ën, debutoi në Serinë A të Kampionatit Italian të Futbollit Femrave. Në fakt, ka qenë një debutim mbresëlënës, teksa vajzat bardhëzi u shpallën kampione atë vit, duke vijuar ta përsëritin këtë sukses edhe për 3 vitet e tjera. Po kështu, Juventusi ka fituar një herë edhe trofeun e Kupës së Italisë, në 2019-ën.
Por edhe dy herë atë të Superkupës së Italisë, në 2019-ën dhe 2020-ën. Por, përtej këtij suksesi në arenë italiane të futbollit të femrave, Juventusi nuk ka qenë po aq suksesshëm në arenën kontinentale. Skuadra e drejtuar për 4 sezone nga trajneria italiane, Rita Guarino, nuk shkoi dot më larg se turi i 32-shes, në 3 sezonet e mëparshme, duke u eliminuar në 2019-ën përballë Brondbit, në 2020-ën përballë Barcelonës dhe në 2021-shin përballë Lionit.
Këtë sezon, skuadra, që pas dorëheqjes së Guarinos në fund të majit, po drejtohet nga trajneri australian Xho Montemurro, ka mbërritur sërish në turin e 32-shes, ku përballë do të ketë Vllazninë. 11 nga 20 lojtarët e skuadrës aktuale janë italiane, 3 janë suedeze, dy daneze e dy franceze dhe nga një finlandeze dhe çeke. Natyrisht, për vetë emrin që ka dhe logjistikën e një klubi të madh si Juventusi, skuadra e femrave është një kundërshtar i vështirë për shkodranet, të cilat, sidoqoftë, kanë dëshmuar se janë të aftë të dhurojnë të papritura.