AlbanianSport.com 23/08/2021 20:35
ASNN – Edhe Çekiçi gjen golin e parë në Turqi! Cikalleshi firmos përmbysjen në fund. Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Endri Çekiçi dhe Sokol Cikalleshi kanë bërë një paraqitje mjaft me të mirë me klubin e tyre, Konjasporin, në Turqi, duke shënuar secili nga një gol në fitoren 2-1 ndaj Istambul Bashakshehirit. Të dy shqiptarët e Koniasporit e kanë nisur ndeshjen si titullarë.
Pjesa e parë është mbyllur me epërsinë 1-0 të miqve. Pak pasi kishte nisur pjesa e dytë, Çekiçi depërton nga e djathta për në qendër të zonës dhe lëshon një diagonale të bukur me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetë. Një gol mjaft i bukur për nga mënyra e realizimit, që barazoi rezultatin 1-1.
Në minutën e 88-të është radha e Cikalleshit, i cili pas një harkimi, godet saktë me kokë, duke shënuar golin e radhës dhe duke firmosur kështu përmbysjen e Konjasporit. Skuadra turke ka marrë 6 pikë në 2 javët e para të kampionatit, teksa ky ishte goli i dytë këtë sezon për Cikalleshin, i cili ishte vendimtar edhe në javën e parë.