AlbanianSport.com 23/08/2021 16:00
ASNN – Fiton vetëm Drita e Gjilanit, të 4 takimet e tjera mbyllen në barazim. Niveli më i lartë i Kampionatit të Futbollit në Kosovë, Superligës, ka ngritur në fundjavë siparin e sezonit të ri dhe interesant është fakti që nga 5 takime, 4 prej tyre janë mbyllur në barazim. Të shtunën janë luajtur tri ndeshje mjaft interesante ku Drita fitoi me përmbysje ndaj Feronikelit, kurse Gjilani dhe Llapi i ndalën me barazim ndaj Drenicës përkatësisht Ulpianës.
Nënkampionia e Kosovës, Drita triumfoi 2-1 ndaj Feronikelit, por gjilanasit ishin duke humbur deri në çerekorën e fundit. Por ata arritën që në minutën e 77-të të barazonte rezultatin, e krejt në fund edhe të shënonin fitore. Ndërkohë, Gjilani i Ismet Munishit barazoi 1-1 ndaj Drenicës. Por e papritura më e madhe ka ndodhur në ndeshjen mes Llapit dhe Ulpianës. Skuadra nga Lipjani ka arritur të barazojë 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në Merdare.
Ulpiana ishte duke triumfuar deri në sekondat e fundit, kur Llapi përmes një aksioni të bukur barazoi rezultatin. Ndërkohë, të dielën janë luajtur edhe dy ndeshjet e fundit të javës së parë të Superligës së Kosovës. Debutuesja për herë të parë në këtë nivel, Malisheva ka arritur që ta marrë një barazim historik, 1-1, kundër kampiones në fuqi, Prishtinës kurse Dukagjini ka arritur ta marrë një pikë në fushën e Ballkanit duke barazuar 2-2.
Pas këtyre ndeshjeve, Drita mban në vendin e parë të renditjes, me 3 pikë, e ndjekur nga Dukagjini, Ballkani, Prishtina, Malisheva, Drenica, Gjilani, Llapi, Ulpiana, që kanë të gjitha nga një pikë. Në fund të tabelës është Feronikeli me 0 pikë. Midis takimeve të javës së dytë të Superligës së Kosovës, që luhen më 29 gusht 2021, spikat përballja midis kampiones në fuqi, Prishtinës, dhe Ballkanit.