AlbanianSport.com 09.12.2014 13:05
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, mbyll sonte dhe nesër fazën e ndeshjeve në grupe ku kanë mbetur ende për t’u njohur edhe 5 skuadrat që vijojnë më tej në turin e 16-shes. Tre prej këtyre skuadrave njihen sonte kur të luhen ndeshje e 6-ta në grupet A, B, C dhe D.
Liga e Kampioneve luan sonte ndeshjet e fundit në grupet A, B, C dhe D, ku pritet të njihen edhe 3 skuadra të tjera që kualifikohen për në turin e 16-shes. Në grupin A, finalistja e sezonit të shkuar, Atletiko e Madridit, ka udhëtuar e qetë drejt Torinos, për t’u ndeshur me Juventusin, sepse është e kualifikuar për më tej.
Ndërkohë, vetëm matematika i ndan italianët nga kualifikimi, pasi mjafton të shmangë humbjen me spanjollët për të lënë prapa Olimpiakosin, që sonte pret në Athinë Malmoen. Në grupin B, Reali është kualifikuar, por sytë janë te përballja Liverpul-Bazel, ku luftohet për gjithçka.
Për gjithçka luftohet edhe në grupin C, midis Monakos dhe Zenitit të Shën Petërburgut, ndërsa Bajer Leverkuseni është kualifikuar për në 16-she. Ndërkaq, luhen thjesht për procedurë ndeshjet e grupit D, ku Borusia e Dortmundit dhe Arsenali vazhdojnë më tej në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve.
Ndërsa Anderlehti ka siguruar vendin e tretë dhe vazhdimin e aventurës në veprimtarinë tjetr të klubeve të kontinentit, në Ligën e Evropës.