AlbanianSport.com 21/08/2021 18:50
ASNN – Kualifikimin historik të Vllaznisë së futbollit të femrave e ka uruar dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili në një postim në faqen e tij në rrjetin social, “Facebook” e ka cilësuar krenari për futbollin e femrave në Shqipëri, teksa shkruan: “Krenar për ju vajza, krenar për Vllazninë! Një mbrëmje e madhe për futbollin e femrave, me Vllazninë që arriti një kualifikim të merituar për në fazën e “play-off”-eve të Ligës së Kampioneve, pasi mundi kampionen e Hungarisë, Ferencvároshin.”
“Një arritje e jashtëzakonshme e vajzave kuqeblu, si edhe e futbollit të femrave në Shqipëri, – vijon kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend. – Investimi që jemi duke bërë te klubet e vajzave çdo vit, vazhdon të sjellë suksese dhe emocione të mëdha, duke konfirmuar rritjen cilësore. Uroj dhe shpresoj që ky sukses të pasohet nga të tjera arritje dhe Vllaznia tani të arrijë fazën e grupeve. Do të ishte padiskutim një arritje e merituar për ato vajza dhe për atë klub që, prej vitesh, kanë bërë një punë të mrekullueshme.”
“Urimet më të përzemërta për Presidentin Matlija, stafin teknik, lojtaret e mrekullueshme të klubit shkodran. Jeni burim frymëzimi dhe krenaria për ne dhe çdo vajzë që dëshiron të ndjekë rrugën magjike të futbollit”, – përfundon Presidenti Duka. Suksesin e Vllaznisë së vajzave e ka përgëzuar, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, edhe donatori i kuqbluve të meshkujve, Alban Xhaferi. “Shumë urime ekipit tonë të vajzave në futboll që kalon turin e dytë Ligën e Kampioneve për femra, me Presidentin e suksesshëm, zotni Lazër Matija, i cili ka 13 vite pa iu ndare asnjëherë titullit “kampion”!” – shkruan ai.
“Model për t’u ndjekur”, – përfundon biznesmeni i njohur, i cili, në fakt e ka shndërruar edhe Vllazninë e futbollit të meshkujve në model sezonin e shkuar, duke shkuar deri në fund në betejën për titull dhe duke fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë pas shumë sezonesh. Ndërkaq, shkodranet e futbollit të femrave janë kthyer në Shqipëri në mbrëmjen e vonë të së shtunës, ndërsa të dielën presin kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampioneve.