AlbanianSport.com 21/08/2021 18:05
ASNN – Flet portieri i korçarëve, vlerëson prapavijën si sektorin në të konsoliduar: “Jemi gati të përballemi si të barabartë me cilindo. Skënderbeu i ri, i denjë për zonën evropiane.” Ndryshe nga sezoni i shkuar, ku mbijetesa u arrit vetëm në fund të kampionatit, pritshmëritë e sezonit të ri për Skënderbeun janë të mëdha, me ekipin që kërkon të ecë më mirë se vitin e kaluar dhe të kapë vendet e sipërme të renditjes. Këtë e kërkon edhe “gardiani” i portës bardhekuqe, Bekim Rexhepi, i cili prej dy javësh është bashkuar me ekipin dhe menjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për të bërë mirë këtë vit.
Duke folur për RTSH Sport, portieri i Skënderbeut tregon cilësitë e shtuara në ekip dhe si e gjen skuadrën korçare pas një përvoje të mirë te Shkëndija e Tetovës në Kupat e Evropës. “Pjesëmarrja në Kupat e Evropës ka qenë një përvojë e mirë për mua dhe kemi bërë vërtet një punë të mirë, – thotë ai. – Besoj se është diçka që do të na shërbejë për t’u rritur në të ardhmen, si për mua ashtu edhe për Sadriun. Sidoqoftë, mezi prisnim që të riktheheshim sërish në Korçë dhe kjo ishte më e rëndësishme.”
“Jemi këtu dhe mund të them se tani që po shoh ekipin nga afër më duket një tjetër histori nga ajo që u mbyll sezonin e kaluar, – ka vijuar 24-vjeçari. – Pavarsisht se nuk jemi të plotë në masën 100%, po punojmë mirë dhe cilësitë duket se janë ende pjesë e skuadrës. Ndryshe nga sezoni i kaluar ka disa ndryshime, por edhe afrimet kanë qenë cilësore dhe për më tepër atje ku skuadra ka pasur më shumë nevojë për to. Jam i bindur që ky vit ka për të qenë krejt ndryshe për Skënderbeun. E shoh ekipin dhe më ngroh. Jemi një vit më të pjekur dhe më me shumë përvojë.”
“Kjo na bën që të kemi besim, – ka theksuar portieri i korçarëve. – Jo më kot edhe objektivat sezonalë janë të ndryshëm. Këtë vit kampionati do të jetë më i fortë dhe më i luftuar, pasi janë shumë ekipe me objektiva maksimalë që do të garojnë për titullin dhe për zonën evropiane, por unë në këtë zonë shikoj edhe Skënderbeun. Skënderbeu i ri do të jetë i denjë për zonën evropiane dhe të tregojmë forcën tonë. Kemi kohë për t’u përmirësuar dhe shoh se skuadra po ritet pak e nga pak. Ajo që na duhet është përqendrim maksimal dhe besimi te forcat tona. Mund të arrijmë zonën europiane këtë sezon, një gjë të tillë e them me bindje”, – përfundoi Bekim Rexhepi.