AlbanianSport.com 21/08/2021 15:50
ASNN – Pas fitores 2-0 ndaj Dinamos të enjten, vjen barazimi 1-1 të premten me Erzenin. Vetëm 24 orë pasi ka mundur të enjten në mbrëmje Dinamon me rezultatin 2-0, në miqësoren e luajtur në Pogradec, Tirana ka zhvilluar një tjetër ndeshje miqësore. Kështu, një ditë pas fitores në derbin e kryeqytetit, Tirana është ndarë në një barazim 1-1 me ekipin e Kategorisë së Parë, Erzenin.
Mund të tingëllojë paksa e çuditshme, por, vetëm 24 orë pasi ka mundur të enjten në mbrëmje Dinamon me rezultatin 2-0, në miqësoren e luajtur në Pogradec dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 1, Tirana ka zhvilluar një tjetër ndeshje miqësore. Kështu, një ditë pas fitores në derbin e kryeqytetit, Tirana është ndarë në një barazim 1-1 me ekipin e Kategorisë së Parë, Erzenin.
Bardheblutë janë kthyer në fushën e lojës vetëm 24 orë pas derbit miqësor, duke luajtur kundër shijakasve po në Pogradec. Në një sfidë si ajo me Dinamon, ku kryeqytetasit dëshironin të testonin formacionin tip për sezonin e ri, trajneri Orges Shehi nuk kishte hapësirë për të gjithë lojtarët e kështu që të premten u organizua një tjetër sfidë, me Erzenin si kundërshtar.
Këtë herë, në fushë ishin ata që nuk kishin luajtur, apo ata që u aktivizuan pak në duelin e së enjtes, në mënyrë që të gjithë të merrnin minuta në këtë pikë të sezonit. Në këtë mënyrë, Shehi ka parë të gjithë alternativat që ka në dispozicion në gjendje loje, në një sfidë e cila u mbyll me barazimin 1-1. Për bardheblutë shënoi i pari Beshiraj në minutën e 75-të, ndërsa 6 minuta para fundit shifrat u barazuan nga Rraboshta me 11-metërsh për skuadrën e Erzenit.
Kjo e fundit merr të dytin barazim radhazi në pak ditë në këto miqësore, pas atij me Skënderbeun.