AlbanianSport.com 21/08/2021 12:05
ASNN – Janë skuadra që jo më kot mbizotëron në “topkëmbën” e vajzave dhe Vllaznia ka arritur të premten të përsëritë historinë teksa është kualifikuar për herë të dytë mes 32 skuadrave më të mira në Ligën e Kampioneve në futboll për femra. Ekipi shkodran ka mundur në finalen e miniturneut ekipin e Ferencvaroshit. Ndeshja është mbyllur me rezultatin 0-0 si pas kohës së rregullt, ashtu edhe shtesave dhe në fund janë dashur goditjet nga pika e bardhë për të përcaktuar fituesen.
Portierja Ana Rosa Hames-Buhigas, e afruar pak kohë më parë nga klubi shkodran, ka qenë heroina e kësaj ndeshje teksa ka pritur 2 nga gjuajtjet e skuadrës hungareze me këta të fundit që gabuan edhe një tjetër duke dërguar sferën jashtë. Teksa për shkodranet u treguan të sakta Gjini, Franja dhe Berisha, duke i dhënë një tjetër sukses të rëndësishëm klubit shkodran dhe futbollit të femrave në vendin tonë, ndërsa të dielën mësohet kundërshtari i radhës.
Kështu, Vllaznia e futbollit të femrave ka arritur një tjetër kualifikim historik në veprimtarinë më prestigjioze kontinentale të kluveve. Pikërisht në Poloni, falë 11-metërshve, ka arritur të kualifikohet për më tej, ndërsa ka eliminuar hungarezet e Ferencvaroshit. Gjithçka ka ndodhur të premten në mbrëmje, ndërsa për shkodranet e trajnerit Nikolin Lekës mungesa e Arbiona Bajraktarit dhe Rrahmanit në qendër të mbrojtjes krijonin probleme. Por Vllaznia është mbajtur mirë.
Madje ka rrezikuar disa herë me Doçin e Lufon, apo dhe Berishën për ta mbyllur më shpejt ndeshjen. Edhe shtesat nuk kanë prodhuar asgjë. Kurse goditjet nga pika e bardhë, falë talentit të spanjolles Hames Buhigas janë në favor të Vllaznisë. Shënojnë për kuqeblutë Gjini, Franja e Berisha e ndërkohë Buhigas pret goditjet e Vagos dhe Zabos, kurse Pusztai e ka dërguar jashtë. Festa është e gjitha e Vllaznisë në këtë kualifikim historik për në 32-shen e Ligës së Kampioneve.
Shkodranet do ta mësojnë të dielën kundërshtaren e radhës, me ndeshjet të cilat do të luhen më 31 gusht ose 1 shtator dhe 8 ose 9 shtator 2021. Ky është shorti i fazës së “play-off”-eve pas së cilës Vllaznia mund të ketë shansin për të shkuar në fazën e grupeve. Shkodranet janë kthyer në Shqipëri në mbrëmjen e vonë të së shtunës, ndërsa të dielën presin kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampioneve.