AlbanianSport.com 20/08/2021 23:00
ASNN – Trajneri i Kombëtares kuqezi flet në prag të shpalljes së listës për 3 sfidat eliminatore. Në një intervistë dhënë për gazetën prestigjioze sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, trajneri i Kombëtares Edoardo Reja, ka folur për objektivat e Shqipërisënë sfidat e radhës të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Ai ka theksuar se pret një seri rezultatesh pozitive nga skuadra. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, shpreson që përfaqësuesja shqiptare të nisë një seri rezultatesh pozitive dhe të konfirmojë progresin e arritur në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve.
Në një intervistë dhënë për gazetën prestigjioze sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, trajneri i njohur ka komentuar zhvillimet në Serinë B italiane si edhe ka folur për objektivat e Shqipërisë në këto eliminatore dhe thekson se pret një seri rezultatesh pozitive nga skuadra. “Javën e ardhshme do të kthehem në Shqipëri”, – ka pohuar ai, duke vijuar: “Për mua është një aventurë shumë e bukur dhe shqiptarët më duan. Edhe këtu në Grado, ku ndodhem për të kaluar disa ditë plazh, kam takuar shumë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe më kanë përgëzuar për rezultatet e arritura me Kombëtaren kuqezi.”
Më tej, 75-vjeçari ka folur për disa aspekte të punës me ekipet kombëtare. “Aktualisht po punojmë në disa drejtime njëkohësisht, – ka rrëfyer ai. – Së bashku me bashkëpunëtorët kemi organizuar disa kurse për formimin e përgatitësve atletikë dhe mjekëve sportivë. Një risi absolute për futbollin në Shqipëri. Përveç këtyre, përpara kemi ndeshjet për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”, kundër Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.” Po ashtu, Reja ka folur edhe për pritshmëritë e tij nga këto ndeshje. “Nga këto ndeshje pres nga skuadra konfirmime të progresit që kemi arritur gjatë edicionit të fundit në Ligës së Kombeve”, – ka theksuar veterani italian.
“Në pritje të sfidës së kthimit me Anglinë, objektivi ynë është që të shkojmë në këtë duel të motivuar nga një seri fitoresh e rezultatesh pozitive”, – ka thënë ndër të tjera intervistë dhënë për gazetën prestigjioze sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja. Kombëtarja shqiptare në pak ditë do të nisë grumbullimin në prag të tre sfidave të rëndësishme në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Kuqezinjtë përballen me Poloninë në vizitën e 2 shtatorit 2021, e më pas presin në shtëpi me Hungarinë dhe San Marinon.