AlbanianSport.com 20/08/2021 20:15
ASNN – Grumbullohet sërish nga trajneri Kuman për ndeshjen e javës së dytë të kampionatit. Rei Manaj është ende në pritje të debutimit të tij me Barcelonën, teksa skuadra katalane përgatitet për ndeshjen e dytë të këtij sezoni të nivelit më të lartë të kampionatit spanjoll të futbollit. Dhe Barcelona i ka besuar sërish sulmuesit shqiptar, pasi ai është grumbulluar për ndeshjen e dytë të kampionatit që gjigandja katalane do të zhvillojë ndaj Atletiko Bilbaos.
Manaj qëndroi në stol në sfidën e parë ndaj Real Sociedadit, teksa shpreson që përballjen e javës së dytë, të ketë minuta për të. Aguero vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa skuadrës në sulm pritet ta nisin si titullarë, Griezman, Depaj e Brethuajt. Në fakt, shqiptari ka spikatur në fazën përgatitore para nisjes së sezonit, duke shënuar gola, por edhe duke dhuruar spektakël edhe në stërvitje me ekipin e parë të Barcelonës në prag të sfidës ndaj Atletiko Bilbaos, e vlefshme për javën e dytë të La Ligës.
Falë formës së shkëlqyer që po kalon, shqiptari u grumbullua sërish nga trajneri Kuman dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për sfidën ndaj Bilbaos. Gjasat janë të shumta që këtë fundjavë të kemi një debutim historik të Manajt në La Liga me fanellën e Barçës Ndërkohë, mbetet të shihet me mjaft kuriozitet se cila do të jetë e ardhmja e futbollistit lushnjar, nëse drejtuesit e klubit do t’i besojnë, apo Manaj do të transferohet diku tjetër.