Nga Gjergj Vyshka 09.12.2014 11:05
Me dy medalje ndërkombëtare, në tetor bronz në Evropianin e të rinjve në Zagreb dhe tani ari në Azerbajxhan, Uldedaj e meriton përkushtimin dhe mbështetjen e shtetit. Pa thënë që është plotësisht kandidat i mundshëm për bursën olimpike, ndoshta dhe më shumë se ata që e kanë marrë atë.
Në fakt ditë më parë, Komisioni Teknik kishte vendosur që bursën olimpike të mundësit Osman Hajdari ta kalonte për peshëngritësen Romela Begaj, “kampione bote” në shkëputje, por e pezulluar për momentin për shkak të daljes pozitive në analizat anti-doping me substancën e ndaluar “stanozolol”.
Parë kështu, megjithëse duhet pritur dhe analiza B, e cila do të bëhet më 16 dhjetor në Gjermani, ndërsa përgjigja do të vijë më 22 dhjetor, atëherë Jurgen Uldedaj është dhe e meriton të jetë bursistë olimpik. Jo vetëm kaq, përtej pritjeve, dhe më shumë mbështetje për një boksier talent që rrallë mund t’i vijë Shqipërisë.
Shkurt ai është fitues i medaljes së artë në Azerbajxhan dhe tani kërkon një tjetër trajtim. Sakaq në të njëjtin aktivitet, Mario Sokoli nuk është paraqitur në nivelin e kërkuar. Megjithatë medalja e Uldedajt justifikon plotësisht pjesëmarrjen e boksit në këtë aktivitet ndërkombëtar.