AlbanianSport.com 17/08/2021 21:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve në futboll do të zhvillojë këtë të mërkurë një seancë tjetër stërvitore me lojtarë të cilët aktivizohen në klubet e kampionatit shqiptar e që kanë qenë pjesë e grumbullimeve të kuqezinjve.
Në këtë seancë, që do të zhvillohet në Qendrën Sportive Kamëz, do të jenë të pranishëm 21 lojtarë, të cilët do të vihen në urdhrat e trajnerit Ervin Bulku dhe stafit të tij. Qëllimi i kësaj seance, që është e dyta brenda pak javësh për 17-vjeçarët, është për të monitoruar gjendjen e grupin e lojtarëve që luajnë në Shqipëri.
Por edhe për konsoliduar vazhdimisht ekipin kuqezi. Stërvitja do të konsistojë në vëzhgimin e parametrave fizike dhe në ushtrime taktike. Gjithashtu, kjo është një mundësi e mirë që stafi teknik të bisedojë nga afër me lojtarët për t’u dhënë porositë për mënyrën se si duhet punojnë na vazhdimësi me klubet e tyre.
Siç është bërë e ditur, ekipi kuqezi i Nën-17-vjeçarëve është duke u përgatitur për fazën eliminatore të Evropianit të kësaj grupmoshe. Shorti e ka vendosur atë në një grup me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut, me këta të fundit që janë dhe organizatorët e turneut.
Skuadra do të zhvillojë në muajin shtator dhe dy ndeshje vëllazërore me bashkëmoshatarët e tyre të Kosovës, që do t’i shërbejnë trajnerit Bulku për të krijuar ide më të qarta rreth grupit, në prag të ndeshjeve eliminatore.