AlbanianSport.com 13/08/2021 21:10
ASNN – Fonte: “Do ta sjell Ronaldon tek Lila. Futbollisti portugez i kampiones së Francës ironizon me ardhjen e Mesit tek Paris SG-ja. Futbollisti i Lilës, Zhoze Fonte, e ka vënë në dyshim mundësinë e Paris SG-së, përkundër rregullave të Ligës 1 sa u përket financave dhe ironizoi se, në përpjekje për të luftuar ardhjen e Lionel Mesit tek gjigandja pariziene, ai po përpiqet të bindë Kristiano Ronaldon të vijë tek Lila. Ylli argjentinas erdhi nga Barcelona tek Paris SG-ja me parametra 0, por ai prapëseprapë do të përfitojë shifra të konsiderueshme.
Ndërsa, kohët e fundit, klubi francez rinovoi me Nejmarin dhe shpreson të mbajë Kilian Mbapenë. Por e gjithë kjo ka zgjuar debatin për shpenzimet e gjigandes pariziene dhe përputhjen me rregulloret e kampionatit vendas. Fonte, i cili e ndihmoi Lilën të mundte Paris SG në betejën për titullin në Francë, këmbënguli se nuk e kupton sesi parisienët mund të lejohen të shpenzojnë të tilla shifra. “Unë dua thjesht të kuptoj këtë “Fair Play”-in Financiar në Francë, – ka deklaruar ai për mediat vendase.
“Çdo klubi i kufizohen shpenzimet, pasi nuk mund të blejnë shumë lojtarë apo të blejnë lojtarë të shtrenjtë e me paga të majme. Por pastaj vjen PSG-ja dhe duket se ligji nuk funksionon për ta”, – thumboi Fonte, i cili nuk ka iluzione sa e vështirë do të jetë ta mbrojë titullin në sezonin e ri dhe prandaj ai e ka një plan. Portugezi i bën thirrje bashkatdhetarit të tij, Kristiano Ronaldo, t’i bashkohet atij tek Lila në Francë. “Do të jetë edhe më e vështirë për ne tani që Mesi është këtu në Francë, por ne jemi gati për këtë sfidë”, – këmbëngul futbollisti portugez.
“Çdo ditë i shkruaj Kristiano Ronaldos të vijë tek Lila dhe ai më përgjigjet: “Ha ha ha”. Ne do të përdorim të gjithë arsenalin tonë dhe unë do të përpiqem sa sjell këtu Kristianon, sido që të jetë. Gjithçka që ai duhet të bëjë, është të fitojë titullin “kampion” në Francë”, – ka përfunduar ironinë e tij futbollisti portugez i kampiones në fuqi të Francës, Lilës, Zhose Fonte.