AlbanianSport.com 12/08/2021 19:20
ASNN – Nikola Milatoviç do të jetë trajneri i ri Vllaznisë së basketboll për meshkuj. Ka qenë klubi shkodran që e ka bërë të ditur një gjë të tillë të enjten në mesditë, duke i uruar mirëseardhjen trajnerit që i fitoi të gjitha trofetë sezonin e shkuar. Në fakt, kjo përbën një goditje në merkato për kuqeblutë e koshit, të cilët, përtej investimeve të bëra nga presidenti Alban Xhaferi, nuk e kanë përligjur atë duke zhgënjyer në këto sezonet e fundit.
Skuadra shkodrane ka mbetur prapa dy rivaleve të Durrësit, Goga Basketit dhe Teutën në betejën për trofe në koshin shqiptar të meshkujve. Milatoviç, tanimë 57-vjeçar, ka patur një karrierë prej afro dy dhjetëvjeçarësh si lojtar në fundin e shekullit të shkuar, ndërsa ka shërbyer si trajner i Ulqinit gjatë periudhës 2011-2013. Gjatë periudhës 2014-2015 ai ka shërbyer si trajner i Kombëtares kuqezi të koshit për grupmoshën e Nën-16-vjeçarëve.
Ndërsa në 2016-ën mori drejtimin e Tiranës, duke nisur kështu rrugëtimin e tij me klubet shqiptare. Pas suksesit dhe trofeve të fituara me bardhblutë e kryeqytetit, ai provoi fatin tek Goga Basket, por u shkarkua në mesin e sezonit, pas dështimit në Kupë përballë Teutës. Më pas ai kaloi tek Teuta, por u mund në betejën për titull përballë Goga Basket dhe në dy sezonet e fundit ka drejtuar skuadrën durrsake, duke arritur më në fund këtë sezon të fitonte të dy trofetë, pikërisht ndaj Goga Basket.
Ardhja e tij tek Vllaznia është një ogur i mirë për skuadrën shkodrane, e cila kërkon kurorën e 10-të të kampiones së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.