AlbanianSport.com 12/08/2021 15:40
ASNN – Legjendari italian flet për karrierën në garat me makina pas mbylljes me motorët. Do ta mbyllë me garat me motorë, por kjo nuk do të thotë se do të heqë dorë nga garimi. Valentino Rosi ka lënë të nënkuptohet se karriera e tij pas largimit nga Moto GP-ja drejt garave me makina, nuk do të jetë thjesht për zbavitje, duke theksuar se “nuk garon kurrë për qejf kur je një pilot i vërtetë motorësh apo makinash”.
Valentino Rosi ka lënë të nënkuptohet se karriera e tij pas largimit nga Moto GP-ja drejt garave me makina, nuk do të jetë thjesht për zbavitje, duke theksuar se “nuk garon kurrë për qejf kur je një pilot i vërtetë motorësh apo makinash”. Pas plot 26 sezonesh në Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit, kryesisht në Moto GP, legjendari Rosi do të tërhiqet nga garimi në fund të këtij sezon, sikundër e bëri të ditur publikisht të enjten e shkuar.
9-herë kampioni i botës e ka shprehur më herët dëshirën për të pilotuar, pas mbylljes së karrierës në Moto GP, një makinë të kategorisë GT3, teksa ka fituar më herët vende në podium në Garat 12-orësht të Gjirit me një “Ferrari 488 GT3” në 2019-ën dhe 2021-shin. Rosi nuk e ka fshehur as synimin që të garojë në të ardhmen në garën 24-orëshe të Lë Monsit. Dhe i pyetur nëse, në këtë periudhë kishte synime konkrete për karrierën e tij pas Moto GP-së, italiani u përgjigj: “Po, gjithmonë i kam dashuruar garat me makina, sepse e kam filluar karrierën time me garat e “go-kart”-it.”
“Babai im, Graciano, e kishte frikë garimin me motorë, sepse kishte pësuar shumë dëmtime në të dhe mendonte se makinat ishin pak më të sigurta, – ka vijuar ai. – Kështu që unë nisa të garoja me “go-kart” dhe pas dy apo 3 vitesh, provova një motor të vogël dhe, më pas, fatmirësisht, garova me motorë. Nuk e di nëse do të kisha arritur të njëjtat rezultate me makina, prandaj mbase bëra zgjedhjen e duhur. Por, sidoqoftë, garat me makina kanë mbetur në zemrën time.”
“Gjatë gjithë karrierës sime në garat me motorë, gjithmonë jam përpjekur që të përmirësoj aftësitë e mia në garat me makina, që të bëj gjithmonë disa kilometra me makina garash, që të isha sadopak gati për këtë moment, – ka zbuluar veterani. – Por nuk e di, nuk e di nivelin tim, sepse nuk është njëlloj si me motorët, por nuk garon kurrë për qejf kur je një pilot i vërtetë motorësh apo makinash, sepse garon për të qenë i fortë dhe për të fituar apo për të patur një rezultat të mirë.”
“Por, të jem i sinqertë, hëpërhë nuk e di se me çfarë makinash apo në çfarë garash do të marr pjesë”, – përfundoi Valentino Rosi.