Gjergj Vyshka 24.09.2014 11:40
Mesfushori gjykon kushtet që kanë FSHF për pjesëmarrjen, ndërsa gjendja financiare e klubeve është tregues negativ: “Edhe pse kemi pasur 2-3 largime, na kanë ardhur lojtarë me eksperiencë, që e bëjnë ekipin më cilësor”.
Dinamo e Dritan Mehmetit, ashtu sikurse pjesa më e madhe e skuadrave të Kategorisë së Parë, pas urdhrit të Federatës Shqiptare të Futbollit për ta nisur kampionatin të shtunën është përqendruar totalisht në përgatitjen e vizitës gjirokastrite. Për mesfushorin Besmir Arifaj, shtyrja e kampionatit e ka ndihmuar jo vetëm trajnerin Mehmeti në përshtatjen e ekipit me lojtarët e ardhur, por dhe skuadrën për të gjetur formën e saj maksimale.
“Të themi të drejtën, – ka shpjeguar Arifaj për “Gazeta e Sportit”, – ne na kanë ikur 2-3 lojtarë nga sezoni i kaluar, kryesisht në mbrojtje. Ndaj në këtë shtyrje të gjatë të kampionatit mendoj që na ka bërë mirë, sepse edhe me ndeshjet e luajtura miqësore kemi arritur të gjejmë gjuhën e përbashkët si skuadër”. Arifaj duket se nuk ka shumë problem për këtë shtyrje të kampionatit në kushtet kur duhet të ishte luajtur Kupa e Shqipërisë, ndërsa Dinamo do të ishte përballë Apolonisë, ashtu sikurse këtë të shtunë që nis kampionati duhet të ishte luajtur java e tretë.
“Shiko Kategoria e Parë, e ndarë tashmë në dy grupe me nga 10 skuadra, ka një numër më të pakët ndeshjesh krahasuar me sezonin e kaluar, – thotë ai. – Kështu që edhe duke luajtur çdo të shtunën kapet koha e humbur dhe nuk ka asnjë problem. Kurse problemi i vendosjes së kushteve nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, pra pagesën e gjysmës së detyrimeve deri në periudhën që nis kampionati, apo dhe sigurinë e stadiumit, tregon më së shumti gjendjen në të cilën ndodhen klubet tona. Është një tregues negativ për gjendjen jo të mirë financiare, e cila është në dëm të skuadrave, në dëm të neve lojtarëve.”
“Por është edhe në dëm të tifozëve, që presin të shohin skuadrën e tyre në fushë. Kjo nuk ka më lidhje me futbollin”, – shton Arifaj. Pyetjes së “Gazetës së Sportit” se çfarë Dinamo është kjo e sivjetmja, nisur dhe nga afrimet që kanë ardhur nga tregu i lëvizjeve të lojtarëve, Arifaj do t’i përgjigjej: “Ne vërtetë kemi pasur largime për të cilat është dashur kohë për të plotësuar vendet bosh, por mendoj se kemi marrë lojtarë të përvojës, të cilët kanë dhe eksperiencën e të luajturit në Kategorinë Superiore”, – thotë mesfushori i bluve kryeqytetas.
“Nëse duhet të jemi ne në Superiore, apo jo? Gara është e vështirë, por që të arrijmë qëllimin final së pari duhet të nxjerrim pozitivisht të gjitha ndeshjet e luajtura në fushë të huaj dhe nuk duhet të diskutojmë takimet që luajmë në fushën tonë, – vijoi ai. – Kjo duhet të jetë çelësi i suksesit tonë”. E së fundmi, Arifaj ka folur dhe për ndeshjen me Luftëtarin: “Së pari uroj që të jetë një gjykim i drejtë dhe i paanshëm për secilën skuadër. Sepse në fushën e lojës duhet të fitojë më i miri, kjo dhe për të kënaqur ato tifozë, të cilët do të vijnë të ndjekin në Gjirokastër ndeshjen Luftëtari-Dinamo.”
“Më pas të tjerat le t’ia lëmë fushës”, – ka përfunduar mesfushori i Dinamos, Besmir Arifaj. E në këto kushte, duke lënë mënjanë Erjon Xhafën që vazhdon të rikuperohet pas dëmtimit, blutë vazhdojnë stërvitjen e tyre normale, gjithnjë në përgatitje për ndeshjen ndaj Luftëtarit në Gjirokastër.