AlbanianSport.com 11/08/2021 21:10
ASNN – Një “grusht shteti” në epokën e futbollit modern, e ka quajtur sindikata sportive në Francë, transferimin e Lionel Mesit te Paris SG. Sipas saj, ardhja e argjentinasit në kryeqytetin francez do të sjellë shumë të mira. Virzhil Kaijé, përfaqësues i sindikatës sportive “Union Sport et Cycle” thekson se kjo është ngjarja më e madhe në futbollin modern. “Kjo është ndoshta ngjarja më e madhe në futbollin modern, “një grusht shteti” mund të quhet, së bashku me ardhjen e Maradonës te Napoli e ardhjes së Zidane te Real Madrid gjatë epokës së Galaktikëve, – thotë ai.
“Por këtu jemi në një nivel më të lartë, – vijon Kaijé. – E imagjinoni dot, një klub do të paraqesë në fushë një treshe ëndrrash si Mesi, Nejmar dhe Mbapé, që nuk është parë kurrë më parë, është një gjë e jashtëzakonshme që padyshim do të përforcojë fuqinë e marës së klubit kryeqytetas, në nivelin e marketingut, në nivelin mediatik, ekonomik dhe gjeopolitik.” Edhe në Argjentinë i bëjnë jehonë transferimit të Mesit nga Barcelona te Paris SG-ja.
Të gjithë mendojnë se i mbiquajturi “Pleshti” ka bërë mirë që shkoi në Paris. Dario Luke, 38 vjeç, një punëtor në Buenos Aires shprehet se transferimi në Paris do t’i bëjë mirë Lionel Mesit. “Unë mendoj se transferimi te Paris SG-ja do t’i ndryshojë atmosferën Lionel Mesit, – thotë ai. – Ai duhet të merrte ajër të pastër, për më tepër që do të rrethohet nga më shumë yje të tjerë. Përveçse ai është një lojtar shumë i mirë, mendoj se do të jetë mirë edhe për ekipin.”
Edhe Hoze Iturria, një punonjës i sektorit shëndetësor, është i mendimit se për Mesin kishte mbaruar tashmë cikli i tij te Barcelona. “Më duket se Lionel Mesi e ka përfunduar ciklin e tij te Barcelona, – thotë argjentinasi për bashkatdhetarin e tij. – Ndaj për të është mirë që të hapen horizonte të reja. Te Parisi për të do të jetë një ndryshim në shumë drejtime. Ai meriton gjithçka më të mirë sepse është lojtari më i mirë në botë.”