AlbanianSport.com 09/08/2021 20:15
ASNN – Irlandezët marrin 3 pikët e plota me një gol në shtesë edhe ndaj Longford Taunit. Kundërshtarja e Teutës në turin e 3-të të Ligës së Konferencës, Shamrok Rovers, ka fituar me një gol në minutat shtesë edhe në kampionat, teksa një goditje me kokë e Liam Skejlsit, i siguruan 3 pikët në takimin e vlefshëm për javën e 22-të ndaj Longford Taunit. Kjo ishte fitorja e 3-të këtë sezon e 18 herë kampiones dhe 22 herë fitueses së Kupës ndaj Longfordit, dhe e 3-ta e siguruar gjithashtu në minutat shtesë, dhe e mban skuadrën e trajnerit Stefën Bradli 3 pikë të shkëputur në krye të renditjes së Premier Ligës Irlandeze në këtë fillim të fazës së 3-të.
Edhe në ndeshjen në shtëpi ndaj Teutës të enjten e shkuar, skuadra irlandeze e gjeti golin vetëm në minutat shtesë, me anë të të riut Aidomo Emakhu, i cili në ndeshjen në kampionat u dëmtua dhe u detyrua të tërhiqej nga loja. Mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në gjendje të udhëtojë drejt Shqipërisë për ndeshjen e kthimit me durrsakët. Goli i fitores në kampionat u shënua në minutën e 95-të nga Liam Skejls, pikërisht në datëlindjen e tij të 23-të, ndërsa ai e ka pranuar që sezonin në vazhdim mund ta luajë në një skuadër tjetër, pasi për të interesohet gjigandja skoceze, Sëlltiku, por edhe skuadrat angleze, Sauthemptoni dhe Noruiç Siti.
Trajneri Bredli e pohoi se skuadra ishte e lodhur në pjesën e parë, pas ndeshjes me Teutën, dhe luajti ngadalë ndaj Longford Taunit. “Por pjesa e dytë ishte shumë më e mirë për ne dhe e merituam fitoren, edhe pse ajo erdhi shumë vonë”, – shtoi kreu i stolit të Shamrok Rovers, i cili e cilësoi ndeshjen e së dielës në kampionat më të vështirë sesa përballja në Evropë me Teutën. Irlandezët e kanë fituar ndeshjen e parë në fushën e tyre, ndërsa ndeshja e kthimit luhet të enjten, më 12 gusht, duke nisur nga ora 20:00, në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.