AlbanianSport.com 06/08/2021 23:00
ASNN – Trajneri i Shamrok Rovers flet pas ndeshjes së parë, kritikon strategjinë e durrsakëve. “Teuta kishte ardhur në Irlandë për të marrë një 0-0, por ne nuk rreshtëm së këmbënguluri dhe e morëm atë që meritonim.” Kështu ka deklaruar trajneri i Shamrokut, Stefën Bradli, pas fitores minimale që skuadra e tij mori ndaj Teutës. Ndërkohë, edhe shtypi irlandez e ka kritikuar strategjinë e Teutës për të luajtur vetëm në mbrojtje në përpjekje për të marrë një barazim në ndeshjen e parë.
Teuta është mundur minimalisht të enjten në mbrëmje, duke pësuar në Irlandë një gol të vetëm në minutat shtesë të përballjes së parë të turit të 3-të të Ligës së Konferencës me Shamrok Rovers. Goli i parë me fanellën e skuadrës vendase për 17-vjeçarin Aidomo Emaku, që erdhi në minutën e parë shtesë nga 6 të tilla, u ka mjaftuar irlandezëve për të marrë një fitore minimale por të vyer në takimin që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.
“Duhet të bësh kujdes kur fut në lojë djem të rinj, por Aidomo ka qenë i shkëlqyer në stërvitje dhe unë kisha parandjenjën që ishte çasti i duhur për të dhe shpresoj që të jetë i pari i shumë golave, sepse ai e meriton”, – deklaroi trajneri i Shamrokut, Stefën Bradli. “Teuta erdhi me një strategji me theks mbrojtës dhe menduan vetëm që të merrnin një 0-0, por ne nuk rreshtëm së këmbënguluri dhe e morëm atë që merituam”, – ka thënë ai, duke i bërë një analizë kundërshtarit.
“Ata ishin shumë të zotë në prishjen e lojës dhe u përpoqën ta ngadalësonin me çdo mënyrë lojën, por mendoj që gjyqtari ishte në nivelin e duhur dhe nuk ra “viktimë” e strategjisë së tyre, – vijoi trajneri irlandez. – Në pjesën e dytë, na u desh të rritnim ritmin e lojës dhe ta lodhnim kundërshtarin, sepse e dinim që ata nuk mund të mbulonin dot çdo hapësirë që do të krijohej. Ne shënojmë gola në fund, sepse dimë si ta lodhim kundërshtarin dhe ta mposhtim atë mendërisht dhe fizikisht.”
Duke folur për ndeshjen e kthimit, Bradli këmbënguli se skuadra e tij nuk do të shkojë në Durrës për të mbrojtur fitoren e ndeshjes së parë. “Do të shkojmë atje për ta fituar edhe atë ndeshje, ka këmbëngulur trajneri i Shamrok Rovers, duke shtuar: “Kemi luajtur kundër Slovan Bratislavës në temperatura 36 gradë Celcius dhe nuk do ta kemi problem edhe në Durrës.” Ndërkohë, edhe shtypi irlandez e ka kritikuar strategjinë e Teutës për të luajtur vetëm në mbrojtje në përpjekje për të marrë një barazim në ndeshjen e parë.