AlbanianSport.com 08.12.2014 22:50
ASNN – Menjëherë pas humbjes 0-2 në derbin me Partizanin, Klubi i Futbollit “Tirana”, u ka kërkuar ndjesë tifozëve, nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social “Facebook”. Ja dhe teksti i plotë i mesazhit të klubit bardheblu:
“KF Tirana falënderon shumë tifozët bardheblu për gjithçka i kanë dhënë sot skuadrës, stadiumit, qytetit. Skuadra humbi një betejë, por Tirana nuk dorëzohet. Bashkë, ne nuk dorëzohemi. KF Tirana falënderon të gjithë popullin bardheblu për korrektësinë me të cilën u sollën në shkallët e stadiumit, edhe pse ditët e para ndeshjes kanë qenë shumë nervoze për të gjithë ne.
KF Tirana ka bërë të pamundurën për të hapur dyert e “Qemal Stafës” për këtë takim, ka bërë të pamundurën për të hapur sektorin D1, për të shmangur rregullin e orëve të fundit ku kërkohej një mjet identifikimi për tifozët. Pavarsisht pengesave, klubi realizoi në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Ministrinë e Brendshme, kalimin e këtyre pengesave dhe rikthimin e pasionit bardheblu në stadium.
KF Tirana kërkon durim dhe mirëkuptimin tuaj, pasi skuadra do të reagojë shumë shpejt dhe bashkë do të përfundojmë me sukses rrugëtimin e gjatë që kemi nisur e na pret përpara. Shmangim polemikat, tensionin, replikat e komentet nervoze. Të gjithë jemi të palumtur sot, por shpejt do të rikthejmë buzëqeshjen. Tirana këtë efekt na jep gjithmonë.
Lojtarët dhe stafi teknik kërkojnë ndjesë për këtë humbje, por në futboll ka dhe ditë jo të mira.
Ju faleminderit!”