AlbanianSport.com 04/08/2021 17:25
ASNN – Luiza Gega e mbyll në vendin e 13-të midis 41 konkurrenteve në garën e 3,000 m me pengesa. Kështu, Gega ka qenë sportistja e fundit që ka konkurruar për Shqipërinë në “Tokio 2020”, duke u renditur e 13-ta midis 41 konkurrenteve në garën e 3,000 m me pengesa. Delegacioni kuqezi e ka mbyllur kështu në ditën e 10-të konkurrimin në këto Lojëra Olimpike, që po mbahen në kryeqytetin e Japonisë.
Në ditën e 13-të të Lojërave Olimpike, që po vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, është mbyllur edhe konkurrimi i Shqipërisë në “Tokio 2020”. Ka qenë atletja Luiza Gega ajo që ka ulur siparin e garimit kuqezi në festivalin më të madh sportiv në planet, që po mbahet në kryeqytetin e Japonisë, duke marrë pjesë në finalen e garës së 3,000 m me pengesa për femra, atje ku ajo e ka mbyllur në vendin e 13-të.
Në fakt, vetë arritja e saj në finale ishte një sukses historik për atletikën shqiptare, që nuk kishte dërguar kurrë më parë një sportiste në një finale të disiplinave të saj në Olimpiadë. Gega erdhi në finalen e së mërkurës pasi doli e 5-ta në baterinë e e dytë kualifikuese të kësaj gare, duke dhuruar kohën e 11-të më të shpejtë, por finalja ka qenë një histori krejt tjetër. Niveli i konkurrimit ka qenë tepër i lartë, për rrjedhojë edhe diferenca midis garueseve, teksa atletja nga Uganda, Peruth Çemutai, mbërriti e para në finish me kohën 9 minuta, 1 sekondë e 45 të qindtat.
Ndërsa vendi i dytë dhe i 3-të, amerikania Freriks dhe keniania Kijeng, ishin përkatësisht 3 dhe 4 sekonda më prapa. Atletja shqiptare nuk e ka nisur edhe aq mirë finalen, por ka shtyrë në xhiron e fundit dhe ka mbërritur në finish me kohën 9 minuta, 34 sekonda e 10 të qindtat, një rezultat ky që është në fakt brenda parametrave të paraqitjes së saj në këtë disiplinë.