AlbanianSport.com 06/07/2021 23:05
ASNN – Prishtina mposhtet 0-3 në Hungari përballë Ferencvaroshit, Shkëndija mundet 0-1 në Tetovë. Ka qenë një ditë “jo” e marta për dy ekipet e tjera shqiptare në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, teksa Prishtina është mundur 0-3 në fushën të huaj përballë Ferencvaroshit, ndërsa Shkëndija e Tetovës është mundur minimalisht në fushën e vet përballë Murës. Në fakt, pjesa e parë e përballjes së kampionëve të Kosovës në Hungari me kampionen vendase, në radhët e të cilëve militon edhe futbollisti i Kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni, është mbizotëruar nga Ferencvaroshi, por edhe Prishtina ka patur dy raste të mira për shënim, në skajet e 45 minutave.
Sidoqoftë, kjo pjesë e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa Prishtina do të ndëshkohet vetëm në 20 minutat e fundit, duke pësuar 3 gola. Sulmuesi norvegjez, Tokmak, i kalon hungarezët në epërsi në minutën e 71-të, ndërsa vetëm 3 minuta më pak, skuadra vendase gjen edhe golin e dytë, me anë të Rajën Kabirit. Ndërkaq, në minutën e 78-të, Miha Blaziç gjen sërish rrugën e rrjetës për Ferencvaroshin, që plotëson një blic prej 3 golash në vetëm 7 minuta, duke e fundosur kështu kampionen e Kosovës, që përballet me një mision të vështirë përmbysjeje në ndeshjen e kthimit pas një jave në Prishtinë.
Ndërkaq, ka qenë e pafat Shkëndija në ndeshjen e parë në shtëpi me kampionen e Sllovenisë, duke u ndëshkuar nga një gol i Luka Bobiçanecit, i realizuar nga pika e bardhë e 11-metërshit. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka patur mundësi të barazojë shifrat në minutat shtesë të pjesës së parë, por Besart Ibraimi gabon nga pika e bardhë. Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë dhe Shkëndija e Tetovës mundet minimalisht përballë Murës dhe synon tanimë përmbysjen në ndeshjen e kthimit pas një jave në Slloveni.