AlbanianSport.com 06/07/2021 20:35
ASNN – Trajneri i kampiones së Moldavisë, Sherifit të Tiraspolit, flet para përballjes së të mërkurës. Kundërshtarja e Teutës në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve është kampionia e Moldavisë, Sherifi i Tiraspolit, dhe, duke folur të martën, para ndeshjes së të mërkurës, trajneri i saj, Juri Vernidub, ka theksuar se skuadra e tij është gati për këtë sfidë. “Po, jemi gati dhe për fatin tonë të mirë, nuk kemi asnjë mungesë, as për shkak të “Covid-19” e as për shkak të dëmtimeve”, – ka deklaruar ai, duke folur në Durrës gjatë konferencës së shkurtër për shtyp për mediat.
“Kemi ardhur këtu për të marrë një fitore dhe besojmë tek një gjë e tillë, por gjithçka do ta vendosë fusha e blertë, ndaj le t’ia lënë fjalën ndeshjes së të mërkurës”, – ka shtuar ai. 55-vjeçari e ka vlerësuar lart Teutën, duke theksuar se mbetet një kundërshtar i rrezikshëm. “Sigurisht që e kemi studiuar Teutën, duke analizuar pikat e saj të dobëta dhe të forta dhe këtë informacion ia kemi kaluar edhe lojtarëve tanë, që të jenë sa më të përgatitur për këtë përballje”, – ka thënë ukrainasit i stolit të kampionëve të Moldavisë, duke shtuar: “Jemi informuar edhe për sezonin e Teutës, por edhe për përforcimet që ajo ka marrë për dy përballjet me skuadrën tonë.”
“Janë një kundërshtar që mbetet i fortë dhe i vështirë, e për më tepër që luan në fushën e vet dhe prandaj mbetet favorite. Por ne do të synojmë të marrim një fitore në fushë të huaj, për ta patur edhe më të lehtë në fushën tonë në ndeshjen e kthimit”, – ka përfunduar trajneri i Sherifit të Tiraspolit, Juri Vernidub. Ndeshja e parë, midis Teutës dhe kampiones moldave luhet të mërkurën në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, duke nisur nga ora 19:00.